Pamje madhështore, kështu myslimanët në mbarë botën festojnë Bajramin e Madh, nën masa kufizuese

Myslimanët në mbarë botën kanë filluar ta festojnë Fitër Bajramin të dielën në mëngjes nën masa kufizuese shkaku i pandemisë.

Kjo festë, njëra ndër më të rëndësishmet në kalendarin e myslimanëve, që shënon fundin e Ramazanit, tradicionalisht festohet me lutje të përbashkëta në xhami, dreka familjare e blerje të rrobave të reja, dhurata e ëmbëlsira, shkruan “France24”.

Megjithatë, këtë vit, festimet kanë mbetur disi nën hijen e pandemisë, sepse shumë vende kanë marrë masa të rrepta kufizuese për shkak të frikës nga përhapja e virusit.

Një numër i madh i vendeve me shumicë myslimane, nga Arabia Saudite, deri në Turqi, Siri e Egjipt, falja masive e Fitër Bajramit është ndaluar.

Arabia Saudite ka vendosur orë policore të plotë për pesë ditë për shkak të shënimit të rreth 68 mijë rasteve të infektimeve, që është numri më i lartë në listën e vendeve në Gjirin Persik.

Autoritetet e këtij shteti kanë njoftuar se lutjet do të organizohen në Mekë dhe Medine, por pa besimtarë, sipas një dekreti të qeverisë mbretërore.

Xhamia Al-Aqsa në Jeruzalem do të rihapet për besimtarët vetëm pas Bajramit, ndërsa në Liban xhamitë do të jenë të hapura vetëm për faljen e së premtes.