Asamblistët e komunës së Prishtinës sot e kanë votuar buxhetin për vitin 2025, raporton Gazeta Sinjali.
Por, ky buxhet duket se nuk është dashur të kalojë sipas shumicës së asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Madje për t’i ndihmuar këta të fundit në presionin ndaj asamblistëve të partisë së tyre, në kuvendin e Prishtinës kanë zbarkuar edhe shefa kabinetesh dhe këshilltarë të qeverisë së Albin Kurtit.
Sipas disa pamjeve ekskluzive të siguruara nga Gazeta Sinjali, në Asamblenë e Prishtinës, shihet Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të Glauk Konjufcës, Berita Abazi, këshilltare e Albulena Haxhiut dhe Egzon Azemi, shef i kabinetit të Arben Vitisë.
Të njëjtit dyshohet se kanë bërë presion Edmond Azemit dhe Berat Lahut për të mos e votuar buxhetin e vitit 2025.
Por, pavarësisht kësaj buxheti ka kaluar – pro tij kanë votuar edhe Azemi dhe Lahu – fakt ky që duket se e ka nervozuar asamblistin e VV-së në komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçlën.
Në një video që është publikuar, ai shihet duke demoluar pajisjet në sallën e mbledhjeve në Komunën e Prishtinës.







