Disa pamje të publikuara thuhet se tregojnë momentin kur hajdutët shkatërruan disa hyrje për të vjedhur stoli me vlerë deri në një miliard euro nga një muze gjerman.
Ata, siç bëhet e ditur, ishin futur përmes një vrime të vogël dhe policia e ka lidhur sulmin me një vjedhje të madhe parash, të ndodhur më shumë se dy vjet më parë.
Siç shkruan DailyMail, ‘hajdutët’ e diamanteve, ndër tjerash vodhën tre grupe stolish ‘të shtrenjta’ të shekullit të 18-të nga “Green Vault” i Dresdenit në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, në atë që po supozohet të jetë vjedhja më e madhe në historinë botërore.
Duke treguar detajet, mediat shkruajnë se vjedhësit ndërprenë furnizimin me energji elektrike dhe u futën brenda një dritareje përpara se të “shtrydheshin” përmes një boshllëku të ngushtë.
Vjedhësit me kapuça u panë në kamerat e sigurisë brenda muzeut – i cili është një nga më të vjetrit në botë – por ata shpëtuan me një makinë largimi dhe një kërkim deri më tani ka rezultuar i pafrytshëm.
Sipas policisë, dy hajdutë shkatërruan një pjesë të një pllake dritare hekuri në katin e parë dhe thyen xhamin pas ndërtesës ngjitur me muzeun, më pas u futën në dhomat ngjit përpara se të futeshin tek kasafortat e xhevahireve.
Mediat gjermane përshkruan ‘hajdutët jashtëzakonisht të vegjël’ të cilët arritën të kapërcejnë një vrimë të vogël për të hyrë deri te kasaforta, pasi lanë pas objekte të mëdha si vazo ose piktura.
Liv von Boetticher, korrespodente e transmetuesit gjerman NTV, e përshkroi vrimën nga e cila u futën hajnat si “jo më të madhe se koka e një njeriu”.
Ajo tha: “Unë jam duke qëndruar afër dritares dhe shoh se të dyshuarit kanë bërë një vrimë që nuk është më e madhe se koka ime. Ata duhet të kenë qenë vërtet të vegjël dhe me të vërtetë të aftë”.
Sipas meidiave, përcjell Telegrafi, ndërhyrja zgjati vetëm disa minuta, me thirrjen e urgjencës që ishte bërë në orën 4.59 të mëngjesit dhe policia mbërriti në 5.05 të mëngjesit – por sulmuesit veçse ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, hetuesit e kanë lidhur ngjarjen me një vjedhje të vlerësuar prej 4.5 milionë dollarësh nga një muze në Berlin në mars të vitit 2017.
Por nëse krahasohet me vjedhjen e ditës së hënë, ajo e vitit 2017 mund të thuhet se ishte një “cikërrimë”.
Kjo pasi që, sipas mediumit gjerman Bild, thesare me vlerë deri në një miliardë euro mund të jenë vjedhur nga Staatliche Kunstsammlungen në Dresden – që do ta bënte atë vjedhjen më të madhe të artit në histori.
Ekspertët në muze, të cilët dikur krenoheshin se koleksioni i tyre ishte ‘shumë i sigurt’, thanë sot se vlera e sendeve të vjedhura ishte ‘e pamatshme’ dhe iu lutën hajdutëve që të mos i shkatërronin.
Lidhur me këtë, policia ka thënë se kanë krijuar një ekip të veçantë hetimi, të koduar ‘Epaulette’ dhe që përbëjnë 20 oficerë të specializuar, për të zgjidhur çështjen.
Ndërsa në një konferencë për shtyp këtë pasdite, drejtoresha e muzeut Marion Ackermann tha se ajo ishte ‘tronditur’ nga ‘brutaliteti’ i vjedhjes së mëngjesit.
E pyetur në lidhje me vlerën e sugjeruar prej një miliard eurosh, ajo tha se vlera e sendeve të vjedhura nuk mund të “vlerësohej”.
“Ne kemi të bëjmë me thesare të paçmuara artistike dhe kulturore”, u ka thënë ajo gazetarëve në Dresden. “Ne nuk mund të japim një vlerë sepse është e pamundur të shiten”.
Duke përsëritur thirrjen në drejtim të hajdutëve që mos t’i shkatërrojnë ose shkrijnë ato, ajo tha që stolitë ishin me ‘vlera kulturore dhe historike të paçmueshme’ dhe nuk mund të shiten kurrë në tregun e hapur.







