PAMJE

Pamje: Bideni e Putini pritet të takohen në vilën mahnitëse të shekullit XVIII

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, pritet që samitin e 16 qershorit ta mbajnë në një vilë zvicerane të shekullit XVIII, e cila ka pamje nga Liqeni i Gjenevës, pamje qetësuese për ato që pritet të jenë bisedime të nxehta.

Mosmarrëveshjet e ashpra rreth ndërhyrjeve në zgjedhje, sulmeve kibernetike, të drejtave të njeriut dhe Ukrainës qëndrojnë si hije mbi takimin e parë të drejtpërdrejtë mes dy liderëve që nga koha e ndërrimit të administratës amerikane më 20 janar.

Në tavolinën e bisedimeve pritet të jenë stabiliteti bërthamor dhe konfliktet rajonale. Bideni, i cili të mërkurën pritet të arrijë në Britani të Madhe, ka thënë se do t’i bëjë thirrje Putinit që t’i respektojë të drejtat e njeriut, shkruan Reuters.

Burimet diplomatike presin që vendtakimi mes dy presidentëve të konfirmohet më vonë të mërkurën. Policia dhe ushtria zvicerane i kanë mbyllur dy parqet që e rrethojnë ndërtesën “Villa La Grande” dhe kanë vendosur pengesa dhe tela me gjemba përreth.

Zvicra njihet për neutralitetin e saj sa u përket çështjeve dhe konflikteve ndërkombëtare. Ajo madje nuk ishte bërë pjesë e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për aneksimin e Krimesë nga Ukraina më 2014.

Ky shtet ka shërbyer si vendtakim i liderëve të njohur edhe në të kaluarën. Në vitin 1985, në periudhën e Luftës së Ftohtë, pikërisht në Gjenevë ishin takuar presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, dhe lideri i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev.