Palmer i prerë: Amerika mbështet Gjykatën Speciale, ajo shpërbëhet pasi ta përmbushë misionin

Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka deklaruar se Shtëpia e Bardhë mbështet Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë.

Palmer ka thënë se Amerika e përkrah punën e Gjykatës Speciale dhe ka specifikuar se Kosova duhet të vazhdojë bashkëpunimin me këtë institucion.

Diplomati amerikan ka thënë se Specialja mund përfundimisht të shpërbëhet pasi të ketë përmbushur misionin për të cilin është krijuar.

“E mbështesim gjykatën dhe mendojmë se është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë bashkëpunimin me këtë gjykatë. Shpresojmë se këto institucione të drejtësisë të arrijnë të përmbushin misionin dhe mandatin e tyre dhe përfundimisht të shpërbëhen në të ardhmen dhe drejtësia dhe shteti ligjor të jenë në duar e institucioneve të shteteve përkatëse”, ka thënë Palmer për Zërin e Amerikës.

Kujtojmë se ditëve të fundit OVL-UÇK dhe disa deptutetë të Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Në Kosovë, diskutimet rreth Gjykatës Speciale janë riaktivizuar pas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Hagës për aktakuzën ndaj presidentit, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.