Pallaska: S’ka kundërthënie në deklarimet e mia, flas për dy çështje të ndryshme

Dastid Pallaska e ka quajtur fëmijërore propagandën e partisë në pushtet dhe anëtarëve të saj që po shpërndajnë një video të montuar ku po keqcitohen fjalët e avokatit.

Pallaska ka thënë se në videon e montuar po tentohet të gjendjet kundërthënie në deklarimet e tij.

Ky reagim tregon se partia në pushtet e ka kuptuar se njerëzit e lirë të këtij vendi janë pengesa kryesore, nëse jo edhe e vetme, në përpjekjen e tyre për të vendosur diktaturën në Kosovë.

“Me video dhe foto montazha keqcitohen deklarata të mija për çështje të ndryshme në një përpjekje dëshpëruese për të shpikur një kundërthënie që nuk ekziston. Në njërën anë, përmendet mendimi im për zgjedhje të Qeverisë pas zgjedhjeve. Në anën tjetër, përmendin përshkrimin tim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin VLAN, që është ndryshe nga mendimi im për këtë çështje”, ka shkruar Pallaksa në një reagim në FB.

“Këto deklarata të ndryshme për çështje të ndryshme mundohen t’i paraqesin si kundërthënie edhe pse të dy pjesët qartazi shpjegohen qysh në intervistën e parë të cituar ku bëhet edhe dallimi ndërmjet tyre”, ka shtuar ai.

Pallaska ka thënë se gjithë kjo propagandë po bëhet për të shuar edhe ata pak zëra kritikë ndaj Qeverisë që po tenton të vendos diktaturë në Kosovë.

“Ky reagim tregon se partia në pushtet e ka kuptuar se njerëzit e lirë të këtij vendi janë pengesa kryesore, nëse jo edhe e vetme, në përpjekjen e tyre për të vendosur diktaturën në Kosovë. Do të angazhohem që kjo pengesë të jetë e PAKALUESHME për ta dhe të gjithë të tjerët që mendojnë se mund të përmbysin rendin tonë kushtetues dhe demokratik!”, ka shtuar ai.

Reagimi i plotë:

Pas intervistës sime të fundit – ku u dekonstruktuan në mënyrë forenzike anatomia dhe tendencat diktatoriale të partisë në pushtet – kam pasur “nderin” të jem objekt i një propagande fëmijërore që duket se është organizuar nga partia në pushtet.

Me video dhe foto montazha keqcitohen deklarata të mija për çështje të ndryshme në një përpjekje dëshpëruese për të shpikur një kundërthënie që nuk ekziston.

Në njërën anë, përmendet mendimi im për zgjedhje të Qeverisë pas zgjedhjeve. Në anën tjetër, përmendin përshkrimin tim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin VLAN, që është ndryshe nga mendimi im për këtë çështje.

Këto deklarata të ndryshme për çështje të ndryshme mundohen t’i paraqesin si kundërthënie edhe pse të dy pjesët qartazi shpjegohen qysh në intervistën e parë të cituar ku bëhet edhe dallimi ndërmjet tyre.

Ironia më e madhe është se mendimin tim për të drejtën e fituesit nominal për krijimin e Qeverisë pas zgjedhjeve e kam përsëritur edhe në dhjetor 2019, para krijimit të Qeverisë së fundit, kur ky mendim i shkonte në dobi vetëm partisë në pushtet. Në intervistën e parë madje kam theksuar se parimi ma imponon që këtë mendim ta them edhe në atë kohë edhe pse Gjykata Kushtetuese e vlerëson ndryshe këtë çështje.

E gjithë kjo propagandë duket se ka për qëllim mbulimin e faktit notor se aktualisht partia në pushtet nuk e ka as guximin e as kapacitetin që të marrë përgjegjësinë kushtetuese që i është dhënë për të zgjedhur Qeverinë e re, e drejtë kjo që i është njohur nga të gjithë përfshirë këtu edhe kundërshtarët e tyre. Një çështje kjo krejt tjetër nga deklaratat e mija të keqcituara, e që ka qenë ndër pikat kryesore të intervistës sime të fundit.

Vëmendjen e makinerisë propaganduese të partisë në pushtet e konsideroj si kompliment personal dhe konfirmim se e vërteta e intervistës sime të fundit ka goditur mu në shënjestër, në “kullën” e gënjeshtrave mbi të cilat është ngritur dhe po qëndron kjo parti.

Paramendoni sa i dobët duhet të jetë vetëbesimi i partisë në pushtet në propagandën e vet, nëse kjo parti ndihet politikisht e kërcënuar nga një njeri i vetëm.

Ky reagim tregon se partia në pushtet e ka kuptuar se njerëzit e lirë të këtij vendi janë pengesa kryesore, nëse jo edhe e vetme, në përpjekjen e tyre për të vendosur diktaturën në Kosovë.

Do të angazhohem që kjo pengesë të jetë e PAKALUESHME për ta dhe të gjithë të tjerët që mendojnë se mund të përmbysin rendin tonë kushtetues dhe demokratik!