Pallaska: Rexhep Qosja si një aparatçik i ulët, ia ushqen egon e sëmurë Edi Ramës

Avokati Dastid Pallaska ka reaguar pas statusit të djeshëm të Rexhep Qosjes i cili sulmoi Gazetën Express dhe Televizionin 7.

Pallaska ka shkruar se Qosja kritikën që mediat ia bëjnë Edi Ramës e ka barasvlerësuar me urrejtje ndaj Shqipërisë.

“Rexhep Qosja dje me një status në Facebook e paska barasvlerësuar kritikën ndaj Kryeministrit të komprometuar të Shqipërisë me urrejtje ndaj Shqipërisë”, ka shkruar Pallaska.

Pallaska ka thënë se shkrimi i Qosjes do të ishte i ulët edhe për një aparatçik që punon tek zyra e Edi Ramës.

“Ky status do të ishte i ulët edhe për një aparatçik nga “zyra e shtypit” e Kryeministrit të Shqipërisë që synon t’i vardiset shefit autokrat duke ia ushqyer egon e sëmurë me idenë se ai vetë është Shqipëria”, ka shkruar avokati në Facebook.

Ai tutje ka shkruar se shpërndarja e shkrimit të Qosjes nga ana e Ramës nënkupton që Kryeministri i Shqipërisë po kërkon shërbyes të rinj.

“Kjo shpjegon pse ky status ka marrë vëmendjen dhe është shpërndarë nga Kryeministri i Shqipërisë, i cili – tash që publikisht është ekspozuar për pabesitë e tij kundër Kosovës – është në kërkim të shërbyesve të ri për të kompensuar kredencialet e humbura kombëtare”, ka thënë Pallaska.

https://www.facebook.com/dastid.pallaska/posts/10157432244958375