Pallaska e “këshillon” LDK-në për 8 hapat që duhet ndjekur për të shkuar të krijimi i qeverisë

Jursiti Dastid Pallaska përmes një shkrimi të publikuar ka treguar hapat që duhet ndjekur për të arritur deri të krijimi i qeverisë së re. Sipas Pallaskës, sot jemi në një moment ku po testohet stabiliteti dhe funksionaliteti i shtetit.

Pallaska tha se për ta krijuar qeverinë e re duhet ndjekur tetë hapa. Fillimisht presidenti duhet të publikojë emrin e mandatarit të LDK’së për të formuar shumicën parlamentare. E seanca e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë së re duhet të caktohet brenda tri ditëve.

Pastaj, nëse ka palë që pretendojnë se ka shkelje kushtetuese, ka mundësi ta dërgojë dekretin e presidentit për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojë pezullimin e dekretit deri të vendosë gjykata për këtë çështje.

Tutje, të gjitha palët duhet të bëjnë thirrje kundër trazirave apo protestave pa marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pa marrë parasysh vendimin e saj, të gjitha subjektet politike duhet të kënaqen me këtë vendim dhe ta respektojnë atë.

Në fund, Pallaska uron që kjo krizë të shërbejë si mundësi për ta vërtetuar se e meritojmë shtetin që e kemi.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Pallaskës:

Stabiliteti dhe funksionaliteti i një shteti nuk ndikohet domosdo nga natyra e problemeve dhe krizave që mund të paraqiten kohë pas kohe.

Përkundrazi, stabiliteti dhe funksionaliteti i një shteti matet vetëm në bazë të kapacitetit të shtetit për t’i zgjidhur problemet dhe krizat me të cilat ballafaqohet.

Pas një periudhe papërgjegjshmërie të skajshme të protagonistëve politikë, sot jemi në një moment kur po testohet stabiliteti dhe funksionaliteti i shtetit tonë.

Nëse qëllimi i protagonistëve politikë nuk është që të nxisin trazira dhe të krijojnë paralelizma të pushtetit që do të vërtetonin teoritë e kundërshtarëve tonë brenda dhe jashtë se Kosova është shtet i dështuar, hapat vijues janë të domosdoshëm për de-eskalimin e situatës dhe kthimin e normalitetit në vend:

1. Presidenti duhet të publikojë letër-shkëmbimin me LDK-në në lidhje me mundësinë e propozimit të mandatarit për krijimin e Qeverisë nga një koalicion i udhëhequr nga kjo parti politike.

2. Nëse LDK krijon një shumicë të re parlamentare dhe i dërgon Presidentit emrin e mandatarit, Presidenti duhet të publikojë këtë propozim si dhe dekretin e vet eventual për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë para se dekreti t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe votim.

3. Seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë nuk duhet të caktohet më herët se tre ditë nga dita kur dekreti i Presidentit është dorëzuar në Kuvend.

4. Brenda këtij afati prej tre ditësh, cilado palë e autorizuar, që pretendon se dekreti i Presidentit është në kundërshtim me Kushtetutën, ka mundësi ta dërgojë dekretin e Presidentit për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojë pezullimin e dekretit deri në vendosjen meritore të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.

5. Pas paraqitjes së çështjes për zgjidhje në Gjykatën Kushtetuese, të gjitha palët duhet të zotohen edhe publikisht se procedura e vlerësimit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese është rruga e vetme për zgjidhjen e kësaj çështje dhe se do të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

6. Krahas zotimit për respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të gjitha palët duhet edhe publikisht të bëjnë thirrje kundër trazirave apo protestave të dhunshme para dhe/apo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

7. Gjykata Kushtetuese duhet, para mbajtjes së seancës së Kuvendit, të pezullojë zbatimin e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë deri në vendosjen e meritave të çështjes.

8. Pas vendimit meritor të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, të gjitha palët duhet edhe publikisht të deklarojnë se – pavarësisht pakënaqësive eventuale – vendimin e Gjykatës Kushtetuese do ta respektojnë dhe zbatojnë.

Nga këndvështrimi se secila krizë përmban më vete edhe një mundësi, uroj që kjo krizë do të shërbej si mundësi për t’ia vërtetuar vetës dhe gjithë të tjerëve se e meritojmë shtetin që e kemi.