Pallaska: Albin Kurti ka frikë nga mallkimi i historisë

Analisti politik, Dastid Pallaska ka reaguar ndaj Qeverisë Kurti për shkak të mos heqjes së taksës 100%.

Ai ka shkruar se taksën po refuzon ta heq jo për arsye parimorw, por nga frika e marrëveshjes me Serbinë.

“Mbase ka frikë edhe nga mallkimi i historisë“, ka shkruar ai në Facebook.

Reagimi i plotë:

Partia në pushtet po refuzon ta heq taksën në tërësi jo për arsye parimore por për shkak se nuk i beson vetës për vendimet që mund të “detyrohet” t’i marrë vetë në raport me Serbinë.

Mbase ka frikë edhe nga mallkimi i historisë.

Paramendojeni partinë që është ngritur mbi gënjeshtrën se Plani i Ahtisaarit dhe pavarësia ishin të dëmshme për vendin dhe – mbi premisa të rrejshme maksimaliste – brutalisht ka gjykuar të gjithë të tjerët që kanë qenë pjesë e këtyre proceseve, të vie në pozitë të zgjedhë në mes të copëtimit të vendit dhe pranimit të Planit Ahtisaari Plus. Dhe atë pa përkrahjen e opozitës.

Për të krijuar unitetin që na nevojitet për t’i bërë ballë Serbisë gjatë dialogut, partia në pushtet duhet ta pranojë gënjeshtrën mbi të cilën është ngritur dhe t’iu kërkojë falje të gjithë atyre që i ka gjykuar në mënyrë të padrejtë mbi premisa të rrejshme maksimaliste.

Është e pafalshme që – në mungesë veprimi nga Qeveria – t’i lihet Presidentit në dorë dialogu vetëm për të siguruar alibinë për rezultatin e supozuar negativ të dialogut. Në vend të përqendrimit të energjisë në gjetjen e fajtorit për dëmtimin e interesit shtetëror, partia në pushtet – si drejtuese e Qeverisë – ka përgjegjësinë dhe detyrimin kushtetues të marrë përsipër dialogun dhe të krijojë unitetin që do t’i jep Kosovës një shansë për të siguruar një marrëveshje të pranueshme me Serbinë.

Braktisja e krenarisë së fëmiut të llastuar, që e ka karakterizuar këtë parti që nga fillimi, është sakrifica më e vogël që mund ta bëjë për të mbrojtur interesat e vendit në këtë kohë pa kohë.