Pala serbe: Rundi i ardhshëm i dialogut, do t’i kushtohet themelimit të Asociacionit

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë sot se raundi i ardhshëm i dialogut Kosovë-Serbi, i cili duhet të mbahet më 2 maj në Bruksel, do t’i kushtohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Hapi i parë, sipas tij, është që ekipi menaxhues të prezantojë draftin e statutit të Asociacionit, pasuar nga një diskutim për draftin e propozuar, i cili duhet të përmbajë të gjitha dispozitat e dakorduara në parimet e përgjithshme nga viti 2015.

“Kjo është ajo që ne do të insistojmë, kjo është ajo që është në frymën e marrëveshjes dhe për të cilën u morëm vesh në Ohër. Sigurisht që duhet të insistojmë në këtë, pa Asociacion është thjesht e pamundur të flitet për asgjë”, ka vlerësuar Petkoviq.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka njoftuar se të martën është themeluar Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajmin për themelim të Komisionit e ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai, po ashtu, ka konfirmuar se takimi i radhës i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillohet më 2 maj në Bruksel.

Sipas BE-së, anëtar i këtij Komisioni të përbashkët do të jetë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i cili do ta kryesojë atë trup, në emër të BE-së.

Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë, shefi i delegacionit të saj për dialog, Petar Petkoviq.