Për festën e Pashkëve, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, kanë ngrënë darkë së bashku në shtëpinë e ministrit Pal Lekaj.
Ka kaluar kohë prej kur Veseli dhe Haradinaj ishin parë së bashku, edhe pse që të dy janë pjesë e qeverisë.
Raportet si duket janë ftohur prej kur Veseli ishte shprehur pro largimit të taksës pas presionit nga zyrtarët evropian dhe amerikan, ndërsa Haradinaj kishte ngulur këmbë se vendimi i taksës nuk do të hiqet deri sa Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, shkruan Ballkani.info.
Sot, Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se janë mbledhur në familjen Lekaj për të festuar pashkët së bashku, ndërsa në fotot e shpërndara shihet i ulur afër Veselit.
“Shqiptarët, shekuj me radhë, kanë kremtuar bashkë festat fetare të njëri-tjetrit. Kjo pasuri, është ndër vlerat më unike të së kaluarës dhe të sotmës së shqiptarëve. Sipas traditës sonë të çmuar, me kryeparlamentarin Kadri Veseli, në familjen e Lekë Lekajt në Novosellë të Gjakovës, për ta ndarë së bashku gëzimin e festës së Pashkëve”, ka shkruar Haradinaj. /Ballkani.info









