Pako emergjente për sport dhe kulturë, MKRS siguron mjetet prej 5 milionë eurosh

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka siguruar mjetet për fondin prej pesë milionë eurosh të cilat do të shpërndahen pas miratimit të buxhetit.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ministrja e këtyre dikastereve, Vlora Dumoshi derisa bëri zbulimin e rrathëve olimpikë nga KOK’u, me rastin e shënimit të Ditës Olimpike.

Dumoshi në një prononcim për KP u shpreh se këto fonde janë siguruar dhe për shpërndarjen e tyre, pritet vetëm miratimi i buxhetit në Kuvendin e Kosovës, pas votimit paraprak në Qeverinë e Kosovës.

“Qeveria në krye me kryeministrin Avdullah Hoti ka marrë vendim për rimëkëmbjen ekonomike të zhvillimit ekonomik. Ne e dimë për 4 muaj jemi në gjendje pandemie, ku organizata të ndryshme kanë pësuar mjaft nga kjo pandemi edhe lajmi i mirë është që ne si MKRS jemi mbështetur nga Qeveria Hoti me 5 milionë, pra për kulturë, rini dhe trashëgimi. Tash shumë shpejt, paraprakisht i kemi pasur informacionet, janë organizuar disa grupe brenda ministrisë, por do të ketë edhe disa grupe jashtë ministrisë si të sportit, kulturës dhe rinisë. Urojmë që shumë shpejt ky buxhet, pra rishikimi të aprovohet në Kuvendin e Kosovës dhe do të fillojmë me punën e shpërndarjes sepse janë shumë të nevojshme për organizatat e ndryshme të cilat ne operojmë”, deklaroi Dumoshi.

Sipas pakos emergjente, do të ketë 5 milionë euro si subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit pasi aktivitetet e tyre janë goditur nga pandemia COVID-19.

Sipas legjislacionit për sportin dhe financimin e federatave sportive, sportistëve dhe trajnerëve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kohë më parë ka nënshkruar dy vendime që kanë të bëjnë me mbështetjen financiare të federatave sportive, sportistëve dhe trajnerëve.