Vendim

Pakistan, lirohet e krishtera që ofendoi profetin Muhamed

Të krishterët e Pakistanit e quajnë një fitore për të gjithë komunitetin e tyre përmbysjen e dënimit me vdekje të Asia Bibit, të dhënë për akuzën e blasfemisë.

Islamistët u hodhën në protesta në Karaçi, Lahore dhe Peshavar, ku ka pasur edhe përpleshje me policinë. Forcat e rendit ndërkohë janë detyruar që të rrethojnë të ashtëquajturën “zonë të kuqe” të kryeqytetit Islamabad, ku ndodhet Gjykata Supreme e vendit. Në përpjekje për të mbajtur larg turmat e zemëruara prej andej, janë angazhuar edhe trupa paraushtarake.

Asia u dënua në vitin 2010 pas akuzave se kishte fyer profetin Muhamed gjatë një sherri me fqinjët. Ajo ka pretenduar gjithmonë pafajësinë, por pjesën dërrmuese të këtyre viteve prapa hekurave e ka kaluar në izolim të plotë.

Vendimi i gjykatës ka qenë thuajse i pabesueshëm në një vend ku përkrahësit e fuqishëm të linjës së ashpër mbështesin ligjet ekstremisht të rrepta për blasfeminë. Kryetari i saj, Saqib Nisarm, lexoi vendimin e tha se Asia ishte e lirë të dilte në atë moment nëse ndaj saj nuk ekziston ndonjë çështje tjetër gjyqësore.

Vajza vetë nuk e besonte dot dhe, siç thotë AFP, ka pyetur disa herë: “Do të më lini të iki? Do të më lini vërtet të dal prej këtu?”

Incidenti që e la në burg për gati një dekadë ndodhi qershorin e vitit 2009, kur Asia ishte duke mbledhur fruta me një grup grash dhe i gjithë sherri nisi për një kovë, ujin e të cilit ato pretendonin se nuk e preknin dot pas saj, pasi në sytë e tyre, besimi që kishte ajo e bënte vajzën të papastër.