Pakënaqësitë me Ligjin për Pagat, 32 ankesa shkojnë te Avokati i Popullit

Me vlerën e koeficientit që u caktua nga Qeveria, të pakënaqur kanë dalë shumë kategori, e që më pas, i janë drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit. Ky institucion ka treguar numrin e ankesave dhe se prej kujt kanë ardhë ato.

32 ankesa kundër Ligjit për Pagat në sektorin publik i ka pranuar Institucioni i Avokatit të Popullit.

Në një përgjigje për Express, ky institucion ka treguar se nga kush i kanë pranuar ankesat.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, etj”, thuhet në përgjigje.

IAP ka thënë se janë duke i trajtuar këto ankesa dhe se janë duke e analizuar ligjin në fjalë dhe më pas do të dalin me qëndrim.

“Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, ka thënë IAP.

Çka ndodhë nëse Ligji përfundon në Kushtetuese?

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thonë se e kanë proceduar Ligjin e Pagave te Avokati i Popullit më 6 janar dhe se ka kërkuar nga i njëjti që brenda kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore ta procedojë këtë ligj për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese

Gëzim Shala nga ky Institut ka folur  lidhur me procedurat që vijojnë pas ankesave te Avokati i Popullit.

Sipas Shalës, Avokati i Popullit ka kompetencë që brenda gjashtë muajve që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, ta procedojë të njëjtin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

E kur Ligji shkon në Kushtetuese, Shala thotë se kjo Gjykatë ka mundësi që të anulojë vetëm nene të caktuara të Ligjit të cilat konsiderohen se janë kundër kushtetuese, nëse nuk gjenë se nene të caktuara ndikojnë në tërësinë e Ligjit.

“Sipas Kushtetutës dhe Ligjit, në këtë rast, Avokati i Popullit ka kompetencë që brenda gjashtë muajve që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, ta procedojë të njëjtin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Me rastin e shqyrtimit të këtij Ligji nga Gjykata Kushtetuese, kjo Gjykatë ka mundësi që të anulojë vetëm nene të caktuara të Ligjit të cilat konsiderohen se janë kundër kushtetuese, nëse nuk gjenë se nene të caktuara ndikojnë në tërësinë e Ligjit”, ka deklaruar Shala.

Nga IKD vlerësojnë se Ligji për Pagat në Sektorin Publik është një ligj që nuk përmbush standardet kushtetuese dhe se për këtë arsye, në këtë situatë, veprimi i Avokatit të Popullit është i domosdoshëm.