Kryetari i sapozgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për herë të parë pas marrjes së besimit nga shumica absolute e delegatëve të kësaj partie. Në një intervistë për Pressing, ai komentoi performancën e PDK-së në zgjedhjet e fundit lokale, sfidat e brendshme në disa komuna ku pati përçarje në disa komuna, procesin që çoi në kandidimin e tij për kryetar, si dhe pakënaqësitë e shprehura nga nënkryetari Enver Hoxhaj.
Në lidhje me vendimin e Memli Krasniqit për të dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit, Hamza tha se ka qenë “ekskluzivisht i tij” dhe se ai nuk i kishte kërkuar një gjë të tillë. Pas vendimit, Hamza tha se kryesia ka marrë vendim që të thërrasë Koventen “në përputhje me statutin dhe rregulloret e brendshme të partisë.”
“Nuk ka qenë kërkesë nga ana ime. Nuk kemi arritur që seriozisht të diskutojmë çështjen kryeministër–kryetar. Vendimi ka qenë ekskluzivisht i Krasniqit, i cili e ka marrë këtë hap të përgjegjshëm mbi bazën e analizës së tij. Ai e mori vendimin. Nuk është se është pritur lehtë prej nesh, por e kemi respektuar. Kryesia dhe unë kemi vendosur të thërrasim Konventë – jo të ketë një ushtrues detyre të kryetarit apo diçka të ngjashme, por të mblidhet Konventa. Ajo është thirrur në përputhje me statutin dhe rregulloret e brendshme të partisë,” – tha Hamza.
Ai komentoi edhe deklaratat e Enver Hoxhajt lidhur me mënyrën se si u menaxhua situata pas dorëheqjes së Memli Krasniqit. Hamza e quajti Hoxhajn “mik” dhe një figurë qenësore brenda PDK-së, duke theksuar se debatet e brendshme dhe mendimet e ndryshme janë pjesë e natyrshme e një partie demokratike.
“Enver Hoxhajn e kam mik. Është një prej figurave të rëndësishme të Partisë Demokratike. Kemi punu bashkë në kabinetin e qeverisjes së mirë dhe pastaj në kabinete të ndryshme në qeveri. E vlerësoj për punën, kontributin dhe angazhimin. Kjo është demokracia: njerëz me pasë mendime të ndryshme, me shfaq mendime të ndryshme. Mendoj që kjo është vlerë. Jam i bindur në këtë. Prandaj, nuk shoh asgjë këtu problematike. E ka dhënë mendimin e vet dhe sot, të gjithë kush ka vlerësuar dhe ka pasë gatishmëri që don me hy në garë për kryetar të PDK-së, kanë qenë kushtet e krijuara.” – deklaroi Hamza.
Rreth deklaratave të Hoxhajt në Rubikon, Hamza, ndonëse tha se nuk ka hatërmbetje, disa nga deklaratat e tij kishin “pasaktësi dhe shkarje”.
“Me Hoxhajn s’kam asnjë hatërmbetje. Sa i përket intervistës në Rubikon, ka pasë disa pasaktësi dhe shkarje, por për mua ato nuk kanë ndonjë peshë apo relevancë.” – shtoi Hamza.
Sa i përket çështjes së Konventës, Hamza tha se gjithçka është zhvilluar në përputhje të plotë me statutin dhe rregulloret e partisë, të cilat ai i konsideron thelbësore për t’u respektuar.
“Statuti thotë që Konventa e jashtëzakonshme organizohet brenda pesë ditëve. Brenda atyre pesë ditëve, kandidatët e interesuar i mbledhin 50 nënshkrime që kërkohen për ta fituar të drejtën me qenë kandidat në garë. Realisht, nëse janë 600 delegatë të Konventës, kanë mundur me qenë diku 12 kandidatë në garë nëse do të arrinin t’i kenin nënshkrimet. Sot ka mundur me qenë kushdo në garë dhe unë do ta mirëprisja. Unë s’kam qenë faktori dhe adresa që mund ta shtyjë Konventën e jashtëzakonshme sepse janë procedurat. Nëse s’i respektojmë procedurat brenda subjektit politik, sigurisht se pastaj mund të mos i respektojmë edhe në shtet.” – shtoi ai.
I pyetur për zhvillimet në Drenas – ku Ramiz Lladrovci, më parë kryetari i komunës nga radhët e PDK-së, arriti të mposhtte kandidatin zyrtar të partisë, Petrit Hajdarin – Hamza pranoi se situata ka qenë e ndërlikuar dhe se menaxhimi i saj mund të ishte bërë më mirë.
Hamza u shpreh se është i gatshëm të dialogojë me të gjitha palët e përfshira për të rikthyer unitetin dhe për të rikonfiguruar strategjinë politike në atë komunë dhe komuna tjera.
“Elektorati i Drenasit është PDK dhe prapë jam i bindur që kurdo që mbahen zgjedhjet nacionale – ne kemi me arrit me gjetë formulën që prapë kemi me maksimalizu votën e PDK-së në Drenas. Herën e fundit i kemi pasë mbi 19 mijë vota dhe besoj që ekziston prapë formula që ne me materializu dhe maksimalizu votën. I shoh situata që do të merrem me to dhe jam i gatshëm me bisedu me secilin se qysh me adresu në mënyrën më të mirë të mundshme që çdo njeri me u kthy dhe votu PDK-në. Mendoj që situata të caktume kemi mujtë me i menaxhu ndryshe. Në disa është tejkalu siç e kemi Kaçanikun. Moskandidimi është vendim që i takon të kaluarës dhe është vendim që është marrë me vota por mendoj që ka pasë alternativa të të mira.” – tha Hamza.







