Publikimi i përbërjes së re të Kryesisë së Aleancës, të udhëhequr nga Ardian Gjini, ka nxitur reagime dhe pakënaqësi brenda strukturave të partisë.

Pak orë pas prezantimit të emrave të rinj, zërat kritikë kanë nisur të shfaqen në disa degë të Aleancës, ndërsa reagimet më të forta kanë ardhur pikërisht nga Deçani, një prej bastioneve tradicionale të kësaj partie, shkruan Ballkani.info.

I pari që ka reaguar publikisht ishte kryetari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj. Ai, pa përmendur emra, ka lënë të kuptohet se nuk pajtohet me mënyrën se si është ndërtuar Kryesia e re.

“Liderët opozitarë nuk duhet të reflektojnë përçarje, e as të imponojnë figura që nuk i njeh as lagjja e tyre. Një opozitë e besueshme ndërtohet mbi meritën, përfaqësimin dhe besimin e qytetarëve”, ka shkruar Sutaj.

Pak më vonë ka reaguar edhe drejtori i Arsimit në Deçan dhe ish-kandidati për deputet nga Aleanca, Zeqë Malaj.

Me një mesazh të shkurtër në Facebook, ai ka ngritur pikëpyetje për zhvillimet e fundit brenda partisë, duke shkruar: “Aleancë, apo përçarje?”

Reagimet e para nga Deçani sinjalizojnë se përbërja e re e Kryesisë nuk është pritur njësoj nga të gjitha strukturat e Aleancës, ndërsa mbetet të shihet nëse pakënaqësitë do të shtrihen edhe në degë të tjera të partisë apo do të ketë reagim nga udhëheqja e saj. /Ballkani.info/

LEXONI EDHE: