zjarrfikësit

Pak zjarrfikës, punojnë me rroga të vogla dhe në kushte të vështira

Gjithë ditën e natën përballen me zjarrin, por zjarrfikësit në Kosovë po del të jenë kategoria më e diskriminuar në vend. Nuk janë të rralla rastet, kur ata edhe kanë shpëtuar jetë njerëzish. Por, për gjithë punën që bëjnë, ata marrin rreth 300 në muaj, përderisa kushtet në të cilat punojnë janë të rënda. E të shpeshta janë edhe rastet kur ata marrin lëndime gjatë punës, të cilat as nuk iu kompensohen në mungesë të sigurimit shëndetësor. Aktualisht, në tërë vendin janë 801 zjarrfikës, të cilët janë të organizuar në 34 komuna.

Muhameti nga Vushtrria ka katër vite që punon si zjarrfikës në kryeqytet. Që nga ajo kohë, ai tregon se çdo ditë është përballur me zjarrin, e ka shpëtuar shumë jetë njerëzish.

Për profesionin human që tani e ushtron me shumë kënaqësi, Muhameti tregon për Express se në fillim puna nuk i kishte pëlqyer edhe aq shumë. Ai kujton edhe një rast, kur e kishte shpëtuar jetën e një të moshuari.

“Qe katër vite punoj si zjarrfikës. Në fillim puna nuk më dukej shumë atraktive, por me kalimin e muajve e kuptova që profesioni im është shumë human. E kujtoj gjatë vitit 2016, në Mitrovicë nga djegia brenda shtëpisë e shpëtuam një plak, i cili kishte qenë duke u ngulfatur nga tymi dhe zjarri”, tregon ai për Gazetën Express.

Derisa, deklaron se në disa prej rasteve që ishte munduar t’i shuante zjarret, kishte marrë lëndime e djegie edhe vet. Por, Muhameti, thotë se kushtet dhe paga të cilën ai merr për punën që bën nuk janë të mira.

“Kushtet e punës nuk i kemi të mira, dhe edhe rroga nuk është e mirë, duke marrë parasysh rrezikun që na kanoset çdo ditë”, Muhamet Fejza.

E se kushtet e zjarrfikësve në Kosovë nuk janë të mira, këtë e thonë edhe në Departamentin e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, që funksionin në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent(AME).
Miran Demiri, drejtori i këtij departamenti i ka thënë Gazetës Express se në mungese të pajisjeve të përbashkëta dhe personale , nuk kanë kushte të mira për punë.

Demiri thotë se në vend aktualisht janë 801 zjarrfikës, të cilët janë të organizuar në 34 Komuna me 35 Njësi. Prej, gjithë këtij numri, vetëm 14 femra e ushtrojnë profesionin e zjarrëfikësit.

“Njësitë profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH) janë të organizuara në 34 Komuna me 35 Njësi ku numri i përgjithshëm ne nivel Vendi është 801. Nga numri i përgjithshëm 787 janë meshkuj gjersa 14 janë femra,(787 + 14 = 801)”, tha Demiri.

Deklaron se mosha mesatare e zjarrfikësve në vend është 48 vjeç, derisa thotë se zjarrfikësi më i ri është Sejdi Sejdiu, 18 vjeç, ndërsa më i vjetri është Hetem Berisha, 65 vjeçar.

Të gjithë këta, Demiri thotë se punojnë në dy ndërrime, dhe se për punën që bëjnë paguhen 318.12 euro në muaj.

Sipas tij, për shkak të mos Implementimit të Ligjit për Zjarrfikje dhe Shpëtim dhe mos ndryshimit të ligjit për financat pushtetit lokal njësitë e zjarrfikësve akoma kanë ngelur me të gjitha kategoritë buxhetore nëpër Komuna.

“Punojnë pandërprerë 24/7. Punojnë në dy ndërrime sipas orarit 12 ore pune ditën / 24 orë pushim ; 12 ore pune natën / 48 orë pushim, Pushim fillestarë vjetor 18 dite. Paga (bazë) mesatare neto është 318.12 € ”, tregon Demiri.

Drejtori Demiri tregon edhe për rastet e lëndimeve të zjarrfikësve në punë. Vetëm në dhjetë vitet e fundit, gjatë punës janë lënduar më shumë se 200 zjarrfikës.

Derisa, thotë se raste të vdekjes së zjarrfikësve nuk ka pasur.

Viti kur më së shumti zjarrfikës kanë pësuar lëndime, po del të ketë qenë 2015’ta, ku kanë mbetur të lënduar 44 zjarrfikës, pasuar nga 2017’ta me 33 raste të tilla.

Përveç kushteve të rënda në të cilat punojnë, ata nuk kanë as shumë mjete për të kryer punën si duhet. Edhe ato që i kanë janë me defekte, e ka të tilla që janë të papërdorshme.

Demiri thotë se zjarrfikësit aktualisht kanë në dispozicion 85 automjete në gjendje të rregullt, 36 me defekte të vogla, 27 me defekte të konsiderueshme, 56 të gatshme për riparim dhe 28 të tjera që janë të papërdorshme.

Për kushtet në të cilat punojnë zjarrfikësit në vend, po ankohen edhe në Sindikatën e Zjarrfikësve të Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Muharrem Beka i ka thënë Gazetës Express se gjendja në shërbimin e zjarrfikësve dhe shpëtimin është mjaftë e rëndë në të gjitha aspektet, si atë organizativ, teknik dhe të burimeve njerëzore.

“Kushtet e punës mjaft të rënda, pa pajisje personale, si radiolidhje, maska, rroba mbrojtëse, te pa testuara sipas deklaratës se prodhuesit , gjithashtu edhe pajisjet kolektive ose të përbashkëta, automjete te stervjetruara, sidomos shkallëve hidraulike për shpëtim të cilat janë te viteve 80- ta dhe te pa testuara, mos testimi i aparateve për frymarrje, mos kompensimi i lëndimeve në punë ne rastet e intervenimeve, pa sigurim shëndetësore, mos kompenzimi për punë gjatë nderimit të natës, orëve jashtë orarit, festave shtetërore”, ka thënë Beka për Express.

Sipas tij, numri i zjarrfikësve në vend është i vogël. Derisa, thotë se për ta nuk ndahet shumë buxhet, dhe se ata ende nuk e kanë të definuar qartë statusin juridik.

Derisa, thotë se pagat e zjarrfikësve janë më të ulëtat në vend.

“ Pagat e zjarrfikëseve janë me te ulëtat ne vend, ne disa komuna koeficienti është 4.83 që do thotë paga bazë e një zjarrfikësi është rreth 283 €, e ne disa komuna paga e zjarrfikësit është rreth 323 € d.m.th. ne buxhetin e konsoliduar nuk ka pagë me te ulet se te zjarrfikëseve, edhe pagat e punëtoreve teknik dhe te mirëmbajtjes koeficientin e kanë 5-sè që do të thotë se pagat e zjarrfikëseve janë diskriminues edhe ne raport me shërbimet tjera emergjente, aspak dinjitoze”, thuhet në përgjigjet e Bekës drejtuar Gazetës Express.

Për të përmirësuar këtë gjendje, Beka thotë se nuk kanë lënë derë institucioni pa trokitur, që nga niveli lokal e deri te Kryeministri, por thotë se edhe pas gjithë këtyre përpjekjeve atyre ende nuk u është bërë zgjidhje.

Ndryshe, vetëm në vitin 2017 në Kosovë janë raportuar rreth 9 mijë raste të zjarreve në vend.