Pak orë pas samitit, nis edhe mbledhja e KE-së| Detaje rreth takimit ku mund të diskutohet heqja e vizave për Kosovën

Të enjten dhe të premten, më 23 dhe 24 qershor, do të mbahet takimi i Këshillit Evropian ku do të merren vendime për shumë çështje të rëndësishme, përfshirë edhe për disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Këshilli Evropian ditë më parë bëri publike agjendën e takimit dhe temat që do të diskutohen, derisa është publikuar edhe koha kur do të mblidhen krerët e shteteve të Bashkimit Evropian.

Më 23 qershor, nga ora 14:00, liderët do të arrijnë në ndërtesën “Evropa” që ndodhet në Bruksel, shkruan Demokracia.com.

Nga ora 15:00, siç është bërë e ditur nga Këshilli Evropian, do të ketë shkëmbim mendimesh me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Në orën 15:30 do të fillojnë punimet e këtij takimi, ndërsa nga ora 19:30 do të zhvillohet një darkë pune.

Në njoftim nuk është bërë e ditur se në cilën orë do të mbahet konferenca për media.

Ndërkaq, në ditën tjetër të takimit, të premten, arritja e liderëve do të fillojë nga ora 09:15 në mëngjes, ndërsa punimet do të nisin nga ora 10:00.

Në kuadër të takimit do të mbahet edhe një punim mes anëtarëve të “Euro Summit”, ndërkaq ora se kur do të zhvillohet konferenca për media nuk dihet.

Në fotografinë e mëposhtme mund t’i shihni të gjithë pjesëmarrësit e takimit të Këshillit Evropian:

Agjenda e takimit të Këshillit Evropian

Në pikat kryesore të publikuara nga ky institucion nuk ndodhet edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, ndërsa përmendet dhënia e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Sidoqoftë, gjasat që liberalizimi i vizave për Kosovën të futet në rend dite për diskutim ekziston, pasi që një prej pikave të agjendës thotë se do të flitet edhe për çështjet e politikës së jashtme,

“Në dritën e ngjarjeve, Këshilli Evropian mund të trajtojë çështje specifike të politikës së jashtme”, thuhet në këtë njoftim, përcjell Demokracia.com.

Përpara takimit të Këshillit Evropian, presidenti Charles Michel ua ka dërguar një letër krerëve të qeverive të shteteve anëtare, në të cilën përmend edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Michel ka thënë se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në dhe BE-ja është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor.

“Prandaj ne duhet të ri-energjizojmë procesin e zgjerimit dhe ta çojmë përpara integrimin e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor. Ne do t’i takojmë ata përpara takimit formal të Këshillit Evropian”, ka thënë Michel në letrën e tij.

Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash në zonën shengen.

Pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve, tash e katër vite, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Franca ende nuk e ka treguar qëndrimin e saj lidhur me heqjen e vizave për Kosovën, por nga MPJ-ja e këtij shteti kanë deklaruar se çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët do të diskutohet në samit./Demokracia.com/