Pak kohë pas protestës për siguri në trafik, në Stanoc shënohet një tjetër aksident me të lënduar

Vetëm pak orë pasi u protestua për numrin e madh të aksidenteve, në fshatin Stanoc i Epërm të Vushtrrisë, ka ndodhur edhe një aksident tjetër.

Së paku një person është lënduar në një aksident komunikacioni që ka ndodhur në atë që po njihet si “magjistralja e vdekjes”.

Lexues të Koha.netit kanë dërguar në adresë të portalit fotografi nga vendi i ngjarjes.

Sot gjatë ditës, banorët e fshatit Stanoc i Poshtëm në formë proteste, kanë përkujtuar 5 të aksidentuarit që kanë vdekur në këtë magjistrale. Kërkesa kryesore e protestuesve ka qenë mirëmbajtja e nënkalimeve, ndriçimi i tyre dhe vendosja e mbikalimeve në vendet ku ka nevojë.

Vetëm një javë më parë, në këtë rrugë ka vdekur Fidan Durmishi pasi u godit nga një makinë. Vdekja e 18-vjeçarit ka shënuar vdekjen e 5-të, të ndodhur në këtë rrugë që nga viti 2014.

*Foto: Arkiv