Pajtohen të gjithë, marrëveshja me MCC-në futet në rend të ditës në Kuvend

Marrëveshja e nënshkruar me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në Washington DC, pritet të ratifikohet sot në Kuvendin e Kosovës.

Përmes një mocioni procedural, deputetët u pajtuan që të futet në rendin e ditës edhe marrëveshja 236 milionë dollarëshe me SHBA-në.

Të gjithë 87 deputetët që ishin në sallë votuan për, raporton Gazeta Express.

Futja e kësaj pike në rend dite, u propozua nga kryetari i Komisionit për Ekonomi, deputeti i PDK-së Ferat Shala.

Programi Kompakt prej 236.7 milionë dollarësh përqendrohet në çështjen e energjisë dhe u nënshkrua me një ceremoni në Kongresin Amerikan. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e nënshkroi marrëveshjen në praninë e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.