Një ngjarje e rëndë ndodhi për Xh.A., nga Podujeva me 29 nëntor të këtij viti, pasi i vdiq gruaja F.A., rreth 65 vjeçare në Spitalin Amerikan në Prishtinë, ku dyshon se mjekët nuk ia vunë stentat fare dhe humbi jetën gjatë operacionit.
Për këtë operacion XH.A., pagoi 13 mijë euro dhe rastin e denoncoi në Policinë e Kosovës.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Spitalit Amerikan kanë thënë se më 29 nëntor, diku rreth orës 12:00, viktima F.A., ishte dërguar në këtë spital me autoambulancë.
Këto burime bëjnë me dije se burri i viktimës deklaroi në Polici se para dy muajsh gruas së tij i ishin vendosur dy stenta në zemër, derisa një javë para se të ndodhte rasti, përsëri mjekët ia kanë vendosur edhe katër stenta të tjera.
Burri i të ndjerës kishte deklaruar po ashtu se XH.A., e kishin dërguar në spital pas gjendjes së rënduar, ku më pas edhe e kanë vendosur në sallë të operacionit, pasi mjekët e njoftuan se u janë mbyllur dy stenta dhe duhet menjëherë të intervenojnë.
Tutje, burimet thonë se burri i viktimës tha në Polici se mjekët i kishin premtuar se kjo ndërhyrje nuk do të jetë e rrezikshme.
Burri i të ndjerës F.A., ka deklaruar gjithashtu se ka kërkuar që t’i bëhet obduksioni trupit të viktimës, pasi që dyshon se nuk ia kanë vënë stentat fare gruas së tij gjatë operacionit.
Për trajtimin e saj, bashkëshorti deklaroi se ka paguar 13,000 euro, por as kjo shumë nuk arriti t’i sigurojë sukses në intervenimin e realizuar.
Pagesa prej 13 mijë eurove ka qenë për të gjitha kontrollet dhe vendosjen e stentave, që është kryer nga një doktor (emër i njohur për redaksinë), i cili edhe i ka garantuar familjarëve se operacioni do të ketë sukses.
Gazeta ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Spitali Amerikan në Prishtinë lidhur me këtë ngjarje, por të njëjtit nuk janë pëgjigjur.
Këtë rast e konfirmoi edhe Policia e Kosovës, ku njoftuan se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës ishte dërguar në IML për obduksion.







