Pagesat për semestër, Klinaku ka një thirrje për fëmijët e veteranëve të UÇK-së

Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se është informuar se shumë nga fëmijët e veteranëve nuk po mund t’i marrim vërtetimet që iu duhet për lirim nga pagesa e semestrave.

Ai tha se këto vërtetime nuk po lëshohen nga Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së për shkak të disa gabimeve teknike, derisa po i dërgojnë për në Prokurorinë Speciale.

“Edhe pse Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, e ka obligim ligjor ofrimin e shërbimeve për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, nuk po e realizon këtë për shumë nga ju për shkak të gabimeve teknike”, ka shkruar ai.

Klinaku u bëri thirrje fëmijëve të veteranëve që nëse nuk lirohen nga pagesa e semestrit me vërtetimet që ua lëshon OVL në Prishtinë “të ngrisin padi, qoftë fakultetit, qoftë ZÇKDL e UÇK-së”.