Kosovë

Pagat në Kosovë më të ulëtat në rajon

Klimë dhe taksa të favorshme për investime të huaja Në Forumin Frankofon të Investimeve të organizuar nga Klubi Afarist Frankofon në Kosovë, është thënë se Kosova është shteti për mundësi të investimeve, por është theksuar se edhe pagat në Kosovë janë më të ulëtat në rajon.

“Ky forum është modeli më i mirë se si mund të shkëmbehen përvojat për investime. Andaj iu ftoj të investoni në Kosovë”, ka thënë Presidenti i Kosovës Thaçi.

Ndërsa, kryetari i Kuvendi të Kosovës Kadri Veseli ka deklaruar se ky forum ka rëndësi të madhe, sepse sipas tij, orientimi i Kosovës është i qartë për një ekonomi të lirë dhe konkurrent.

“Qeveria e Kosovës është duke bërë hapa të mëdhenj për uljen e taksave për bizneset. Do të ketë edhe më tutje ulje të taksave. Duam të rrisim prodhimin dhe punësimin”, theksoi Veseli.

Kosova sipas tij është në rrugë të mbarë për liberalizmin e vizave. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se qeveria ka krijuar politikat ekonomike të cilat kanë ndryshuar në favor të bizneseve. Kurse, Ambasadori i Francës në Kosovë, Didiert Chabert tha se Kosova ka klimë dhe taksa të favorshme për investime të huaja.

“Qeveria ka krijuar politika të favorshme për investime, për një ekonomi të qëndrueshme. Forumi i sotëm tregon se ka interesim të madh për investime në Kosovë”, ka thënë Chabert.

Sipas tij, kostoja e pagave në Kosovë është më e ulët në rajon. Kryetari i Klubit Afarist Frankofon në Kosovë (KOCAF) Rrahim Pacolli ka thënë se qëllimi i Forumit Frankofon të investimeve është të diskutojë ngjashmëritë, ndërlidhjet dhe sfidat kryesore me të cilat përballen operatorët ekonomik që veprojnë në Shqipëri dhe Kosovë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri, kryesuar nga Julien Roche, e që  tubon rreth gjashtëdhjetë kompani, ka thënë se  asgjë nuk është e përsosur, por kur të krahasohen me vendet tjera ka disa përparime në Kosovë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë  Endrit Shala me ketë rast ka thënë se është krijuar një hapësirë e madhe për një vend ideal për investime strategjike.

“Një investitorë strategjik francez është i interesuar dhe ka aplikuar për investime për energji të ripërtëritshme”, tha Shala.

Ai i ka inkurajuar investitorët frankofon që të investojnë në Kosovë, si dhe premtoj që do të angazhohen për zgjidhjen e cdo problemi të mundshëm gjatë rrugëtimit të tyre për të investuar në Kosovë.