Pagat e ulëta po e detyrojnë personelin mjekësor ta lëshojnë Kosovën

Gjermania ka nevojë për 70 mijë infermierë dhe ky numër i madh i infermierëve mund të arrihet vetëm me ardhjen e tyre nga shtetet tjera, duke e përfshirë këtu edhe Kosovën.

Kështu ka deklaruar dje në Prishtinë ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn, pas marrëveshjes së nënshkruar për bashkëpunim në sektorin e shëndetësisë me homologun e tij kosovar, Uran Ismailin.

“Ne kemi nevojë për rreth 70 mijë infermierë. Këtë numër të madh të infermierëve që na duhen mund ta arrijmë vetëm me ardhjet nga vendet tjera dhe Kosova është shteti i parë me të cilën nënshkruam marrëveshje të kësaj natyre”, ka thënë ai.

Largimin e personelit mjekësor për në vendet e Bashkimit Evropian e ka parë si shqetësues edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Besa Baftiu.

Ajo ka thënë për gazetën “Zëri” se nëse personeli mjekësor do të kishte kushte më të mira në Kosovë nuk do ta lëshonte vendin.

“Besoj që jo të gjithë me dëshirë e lëshojnë vendin e tyre dhe shkojnë të punojnë në vendet e BE-së, konkretisht në Gjermani. Sikur infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë të kishin kushtet e mira të punës në Kosovë e të kishin pagat e mira në Kosovë, nuk besoj se do ta lëshonin vendin, por nuk përjashtoj rastin, sepse trendi i largimit prej një vendi në vendin tjetër nuk po ndodh vetëm në Kosovë”, ka thënë ajo.

Përndryshe Baftiu ka thënë se numri i infermierëve për kokë banori në Kosovë është i pamjaftueshëm.

“Bashkëpunimi që është bërë në mes të Ministrisë së Gjermanisë dhe Ministrisë sonë, nëse është në këtë formë që vetëm të trajtojë infermierët dhe t’i përgatitë për punë në Gjermani, atëherë kjo është shqetësuese, sepse ne edhe pse kemi një numër të madh të infermierëve të papunë, prapë numri i infermierëve për kokë banori është i pamjaftueshëm në vendin tonë. Do të duhej që të rritej numri i infermierëve nëpër institucionet tona e jo të përgatiten ata që të shkojnë dhe të punojnë në vendet e BE-së”, ka shtuar ajo.

loading…