Me kërkesë të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale paga minimale sot u diskutua në mbledhjen e Qeverisë.
Këtë propozim të ministrit Reçica e kundërshtuan ministrat tjerë, pasi që konsideruan se për pagën minimale duhet kohë dhe analizë e plotë.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skendër Reçica bëri të ditur se Këshilli Ekonomi Social do të bëhet aktiv shpejt dhe propozimin e tyre për pagën minimale që e kishin dhënë më herët, e që ishte 250 euro do ta analizojnë prapë.
Reçica tha se ndryshimi i pagës minimale nuk ndikon në asnjë skemë sociale që menaxhohet nga MMPS-ja.Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se dikasteri që ai e udhëheqë nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por që sipas tij, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet ta ketë të qartë se nuk mund të merren vendime që janë në kundërshtim me ligjin.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxha ka deklaruar se pa një analizë të plotë nuk do të votojnë asnjë propozim të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale lidhur me pagën minimale.
Edhe bashkëpartiaku i tij, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj tha krahas analizës financiare për pagën minimale duhet edhe një analizë e plotë në konceptin ekonomik.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro nga kategoria e shpenzimeve rezervë me qëllim të shprehjes së solidaritetit dhe përkrahjes për rindërtimin e katedrales Notre-Dame në Paris, pas dëmeve të shkaktuara nga zjarri.
Me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, Qeveria e Kosovës miratoi që Aeroporti i Gjakovës të kaloi nën kompetencat e Ministrisë së Mrojtjes.
Një kërkesë të tillë e mirëpriti kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, i cili tha se kalimin i Aeroportit nën menaxhimin e Ministrisë së Mbrojtjes e ndalon shkatërrimin e mëtutjeshëm të aeroportit.
Kurse, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kërkoi që fillimisht të pritet a mund të bëhet aktivizimi i aeroportit e pastaj t`i kalohet nën menaxhim Ministrisë Mbrojtjes.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme i ka ndarë 471 mijë euro për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.Po ashtu gjatë kësaj mbledhje nga Qeveri ndau mbi 18 mijë euro për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për punën shtesë të stafit lidhur me organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, mori vendim edhe për emërimin e Koordinatorit Nacional për Integrim dhe anëtarësim në NATO. Me propozim të kryeministrit Ramush Haradinaj, zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani mori votat e kabinetit qeveritar për këtë pozitë.
Qeveria shqyrtoi propozim-vendimin për themelimin e strukturave për zbatimin e pakos ligjore për Administratën Publike, si dhe ka miratuar edhe koncept dokumentin për arkivat e Kosovës.Edhe rekomandimi i Qeverisë për Presidentin e Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrinë e Financave për nënshkrim të marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Gjilanit, ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme.
Marrëveshja siguron një kredi në shumën 10 milionë euro.







