Pacolli: Kosova është e mbyllur për nxitës të urrejtjes ndëretnike

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z.Behgjet Pacolli ka deklaruar se Republika e Kosovës është shtet i lirë dhe demokratik, që respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe ideve, porse nuk do të lejojë askënd dhe asnjë vizitë që ka si qëllim të cënojë harmoninë e saj ndëretnike.

Ministri Pacolli tha se Republika e Kosovës mirëpret çdo mik të saj, që ka për synim dhe qëllim ndërtimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira, por është e mbyllur për këdo që vjen për të çakorduar harmoninë ndëretnike, e cila, siç tha ai, është e shenjtë për popullin dhe shtetin e Kosovës.

“Ne ua kemi ndaluar hyrjen disa zyrtarëve të lartë shetërorë të Serbisë sepse kemi pasur dëshmi se do të vijnë me qëllim të nxitjes së urrejtjes, dhe kështu do të veprojmë sa herë të kemi informata të ngjashme. Përndryshe, Republika e Kosovës është shtet që synon antarësim në strukturat euroatlantike, pra vend i lirë dhe demokratik, i hapur për miq nga rajoni e bota”.

Shefi i diplomacisë kosovare i ka bërë këto komente gjatë një organizimi solemn në Ministrinë e Punëve të Jashtme me rastin e marrjes së kryesimit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SPEEC) nga nga Republika e Kosovës.

loading…