Pacolli reagon pas alarmit të rrëmë nga Beogradi për sulm terrorist ndaj serbëve në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj agjencisë serbe të lajmeve “Kurir.rs”, pasi që kjo e fundit ka raportuar se Prishtina është duke përgatitur një sulm terrorist ndaj serbëve.

“Paralajmërim dramatik për shërbimet e sigurisë: Terroristët përgatitin sulm ndaj serbëve! Prishtina fshehurazi po krijon një ushtri”, është titulli që ka bërë Pacollin të reagojë.

Para tij kishte reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

“Për këdo që përcjellë me vëmendje zhvillimet në lidhje me obstruksionet të cilat Serbia i projekton kundër afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, është krejtësisht e qartë se kemi të bëjmë me një subordinim deri në nënshtrim të mediave në Beograd nga qeveria e Serbisë.Mediat e subordinuara janë kthyer në zë propagandues të politikës destruktive, duke përhapur lajme të rreme, ‘fake news’”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e tij në Facebook.

“Regjimit, i cili ka shtypur çdo zë kritik në Beograd, madje edhe oponencën politike, nuk ka mundur t’i rezistoj pothuaj asnjë medium. Dhe duke qenë që për mediat serbe, realiteti i Kosovës nuk është mbuluar asnjëherë drejtë, edhe atyre mediave të cilat njohin realitetin, nuk u bëhet vonë t’i vihen në shërbim qeverisë së Serbisë, sepse me temën e Kosovës ato mund të mashtrojnë publikun pa rrezikuar të humbin kredibilitet. Këto media kritikojnë Kosovën, SHBA-të, e hera herës edhe BE-në”, është shprehur ai.

“Vucici dhe Dacici janë dy njohësit më të mirë të politikës, mentalitetit dhe kulturës propaganduese dhe konspirative, dhe tashmë po punojnë me shumë zell, me përdorimin e lajmeve të rreme në Serbi. Ajo çfarë befason është se një pjesë e këtyre mediumeve dhe lajmeve të rreme, merren si burim në rajon, madje edhe Kosovë, pa u filtruar mirë”, ka thënë Pacolli.

“Nuk është në kulturën tonë të shërbehemi me lajme të rreme, por duhet thënë që edhe kur nuk kanë ekzistuar mjetet e komunikimit masiv, ne kemi pasur konsensus që propagandës së Serbisë, t’i kundërvihemi me sukses, me fakte, me drejtësi”, ka shkruar ai.