Pacolli premton 60 mijë vende pune

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka garantuar zhvillim ekonomik me rritje prej 8 për qind dhe 60 mijë vende pune, jetësimin e zonës së lirë ekonomike, si dhe kufij të paprekur të territorit të Kosovës, në rast se koalicioni AKR-Nisma-PD do të qeverisin për katër vitet e ardhshme.

Ai, duke kundërshtuar Ligjin për Trepçën, tha se zhvillimi i këtij gjiganti bëhet vetëm me njerëz profesionistë të kësaj fushe, dhe jo me fjalë.

“Programi ekonomik i AKR-së parasheh rritje ekonomike 8 për qind. Vetëm nëse ka rritje ekonomike 8 për qind do të ketë impakt të punësimit. Ku më mirë se në zonën e lirë ekonomike mund të bëjmë atë, prodhimtarinë. Në zonën e lirë ekonomike do të importojmë edhe brenda që do të garantojnë kualitet në prodhimin tonë, por edhe shitje pafund. Krejt këto do të garantojnë lëvizje ekonomike mbi 8 për qind që vetvetiu tërheq 60 mijë vende të punës”, tha ai.Pacolli ka folur edhe për partnerin e dikurshëm të tij, Agim Bahtiri, të cilin e quajti të paditur dhe që jep premtime boshe.

“Jam sot shumë i lumtur që AKR-ja është liruar prej njerëzve të paditur, të këqinj dhe me premtime boshe”, tha Pacolli. Ai ka kërkuar votën për koalicionin Nisma-AKR-PD, pasi sipas tij vetëm duke e votuar këtë koalicion mund të nxirret shteti nga gjendja e rëndë me të cilën po ballafaqohet.Ndërkaq, koordinatori i AKR-së në Mitrovicë, Nysret Çubreli, theksoi se AKR-ja po e dëshmon fuqinë, investimet, punën dhe sinqeritetin e kryetarit Pacolli, që është mbjellë me vite tek mitrovicasit.Ai ka potencuar dy momente kyçe në jetën e tij, njëra prej të cilave ndërlidhet poashtu me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri.

“Janë dy momente të rëndësishme që i konsideroj në jetën time, kur i kam thënë gruas time për martesë dhe kur i kam, thënë jo Agim Bahtirit për t’u ndarë nga AKR-ja”, u shpreh Çubreli.Në fund u prezantuan kandidatët e këtij koalicioni për deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.

loading…