Pacolli për videon e VV-së: Shkatërrues jeni ju që konsumoni paratë e taksapaguesve, në këtë rast, edhe të miat

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar pas videos së publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën thotë se u quajt “shkatërrues”.

Pacolli përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se shkatërrues janë ata që konsumojnë paratë e taksapaguesve, në këtë rast, siç thekson ai paratë e tij.

“E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës, partia që sot qeverisë Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Jo, zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?”, ka thënë ai.

Kryetari i AKR-së mes tjerash ka pyetur partinë në pushtet se çfarë kanë bërë ata për Kosovën.

Tutje, ai ka renditur edhe disa pika, për të cilat konsideron se janë të arritura të tij.

Postimi i plotë:

E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës, partia që sot qeverisë Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Jo, zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?

– Unë kam nënshkruar pavarësinë e Kosovës, ju jo.

– Unë kam promovuar vendin në tërë botën, i kam sjellur mbi 40 njohje, e ju, asnjë …

– Unë kam krijuar ekzistencë financiare për mbi 60.000 qytetarë të Kosovës që nga koha nga kur ju ende nuk keni ekzistuar.

– Unë kam ndihmuar e ndihmoj njerëzit në nevojë të Kosovës me dhjetëra miliona euro e ju vetëm i shfrytëzoni ata njerëz.

– Unë kam ndërtuar dhe dhuruar universitete, shkolla, ndërtesa e shumëçka, e ju asgjë.

– Kam rindërtuar me shije, hapësirat në ndërtesat ku ju edhe sot punoni (Parlamentin, presidencën, ministrinë e punëve të jashtme e shumëçka, e ju jo që nuk i keni ndërtuar apo mirëmbajtur, por jeni përpjekur edhe ti shkatërroni.

– Sot shëroj me dhjetëra pacientë jashtë vendit dhe i financoj me dhjetëra studentë jashtë vendit e ju asnjë.

Është turp për ju! Këto dy vite Kosova po degradohet në çdo aspekt, infrastruktura, ambienti e çdo gjë tjetër që ka nevojë për dorën e njeriut të cilën ju nuk jeni në gjendje të jepni. Deri tani vetëm keni sharë e fyer e nëse vazhdoni kështu nuk di si do të duket Kosova…

Unë shpresova dhe besova se ju do të punoni për Kosovën dhe unë ju votova, sepse mendova se e meritoni votën time. Nuk gjej fjalë se sa poshtë mund të shkosh. Sinqerisht nuk kisha në plan të reagoja, por kjo nuk është hera e parë që luani me personalitetin tim. Drejtoni vendin si duhet ose largohuni!