Pacolli për përplasjen në Komision: Ne jemi arrogantë, sepse ua shpërfaqim shkeljet

Deputetja e LVV’së, Fitore Pacolli ka deklaruar se ajo që ka ndodhur në Komisionin për Punë të Jashtme ishte e orkestruar

“E tëra që ndodhi sot gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme ishte e orkestruar. Kryetarja e Komisionit Time Kadriaj bashkë me deputetët e LDK-së Kujtim Shala dhe Arben Gashi bashkë me Meliza Haradinaj ishin të koordinuar që mbledhja e Komisionit të mos zgjatë më shumë se një orë. Arsyetimi ishte që Ministrja ka agjendë të ngarkuar”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

“Unë, Gazmend Gjyshinca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku patëm dërguar kërkesën për raportim sepse kishim një mori çështjesh të trajtonim me Ministren. Në fillim filluan të na pengonin duke na kufizuar në kohë, ndërhyrje e deri edhe tek ndalja e mikrofonit. Herë pas herë Kryetarja e Komisionit i tregonte Ministres se cilave pyetje t’i përgjigjej e cilave jo. Pyetjet tona për anulimin e vendimeve për kthim të ligjshmërisë e për shpikje të pozitave për vëllaun e ministrit Zemaj sipas tyre ishin të panevojshme dhe e cilësonin gjuhë arrogante. Pra ne jemi arrogantë sepse ua shpërfaqim shkeljet, keqpërdorimet e manipulimet e tyre”, ka thënë deputetja, duke shtuar se kryetarja e Komisionit priste momentin që të ndërpriste mbledhjen e ta shpëtonte ministren.

“Në fund u kuptua që nuk ishte arsye agjenda e ngarkuar e Ministres që të përfundonte raportimi brenda orës por ishte mos gatishmëria e saj për tu përgjigjur në pyetje. Ministrja pas ndërprerjes së mbledhjes nuk vazhdoi me agjendën e saj por doli për kafe. Kaq për sinqeritetin e ministres e agjendën e saj të ngarkuar”, ka shtuar ajo.