Pacolli: Për 12 vite kam krijuar 5 mijë vende të punës në Kosovë në sektorin privat

Aleanca për Kosovën e Re ka mbyllur fushatën në komunën e Gjilanit. Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka deklaruar se është angazhuar në dhënien e kontributit për shtetin e Kosovës duke lobuar në botë tek shtetet e tjera dhe gjithashtu me angazhimin personal kishte kontribuar për krijimin e vendeve të reja të punës.

Ai ka thënë se për 12 vite ka arritur që të krijojë mbi 5 mijë vende të reja të punës.

“Prej vitit 2007 kur kam ardhur këtu deri sot unë kam krijuar diku mbi 5 mijë vende të punës në Kosovë. Është e pamundur që dikush të shprehë mosbesim. Kam krijuar vende të punës në Kosovë dhe krejt ato ndërmarrje që janë ndërtuar në Kosovë dhe janë ndërmarrje që punojnë për interesin e punëtorëve dhe shumë pak japin profit për pronarin e fabrikave. Fuqia blerëse në Kosovë është e ulët dhe ne prodhojmë kualitet dhe çmimi është i paarritshëm për të gjithë dhe me rritjen e vetëdijes ndaj kualitetit dhe standardit është një çmim që secili do të paguajë”, ka thënë ai, raporton “Koha Ditore”.

Ai ka thumbuar edhe oponentët e tij politikë me të cilët deri dje ishte pjesë e Qeverisë së Kosovës. Ka thumbuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Kam dëgjuar shumë premtime, shumë fjalë boshe të liderëve tjerë. Dikush e lufton korrupsionin, dikush premton shtet 100 për qind, dikush premton kodra dhe livadhe dhe ne veprojmë. Jam shumë krenar që në këtë kohë dhe ministrat e AKR-së kanë premtuar me duar të pastra. Edhe pse janë bërë lojëra konspirative që të luhet me sinqeritetin e njerëzve të AKR-së. Mirëpo ne kemi pasur shembuj sesi duhet të mbrohet prej tyre”, ka thënë ai.

Kurse kandidati për deputet nga radhët e AKR-së, Arianit Ibrahimi ka deklaruar se beson se subjekti që përfaqëson do të sjellë ndryshimin ngase ata po shohin se subjektet e tjera politike të cilat kanë qeverisur me vendin kanë kontribuar në humbjen e shpresës tek të rinjtë.

“Kosovës po i ikin të rinjtë dhe çdo ditë po humb shpresa. Shohin dhe dëgjojnë pabarazi duke nisur nga konkurset publike dhe në mënyrë të pamerituar zihen vendet e punës, pa përmbushje të kritereve që kërkohen me konkurs dhe ata që pranohen dihet se kush janë. Janë fëmijët, rejat, mbesat, nipat dhe shokët e politikanëve. Këtu vjen zhgënjimi i të rinjve”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se me ardhjen e tyre në pushtet do të punojnë në mënyrë që të respektohen të drejtat e punëtorëve në sektorin privat. “Shohim diskriminimin e punëtorëve në sektorin privat ku punojnë gjatë gjithë javës pa të drejtën e pushimit. Punojnë jashtë orarit pa kompensim dhe u thyhet dinjiteti në forma të ndryshme. Një administratë të mbingarkuar me njerëz ku marrin paga pa vijuar në punë. Mirëpo kjo do të ndryshojë”, ka thënë Ibrahimi.

loading…