Zv/kryeministri

Pacolli: Nëse është e nevojshme do t’i përshkallëzojmë sanksionet ndaj Serbisë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka theksuar se pikërisht sot ka filluar aplikimi i një qasje proporcionale ndaj Serbisë, dhe nëse është nevoja edhe përshkallëzuese, përmes së cilës Serbia do ta kuptojë që për cilëndo sjellje të saj negative, dëmtuese dhe cenuese ndaj Kosovës, do të ketë një çmim të cilin do ta paguaj fillimisht ajo.

“Kjo praktikë vlen për tregti, për ekonomi, për drejtësi, për siguri, do të vlejë edhe për politikë të jashtme dhe diplomaci. Të durosh është forcë, por të veprosh me durim është mençuri. Nga sot fillojnë masa specifike të veprimit me durim”, ka njoftuar Pacolli.

Postimi i Pacollit në Facebook:

Ka kohë që në vazhdimësi i informoj institucionet evropiane për sjelljen skandalozë të Serbisë dhe institucioneve të saj kundër lirive njerëzore dhe atyre ekonomike të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ka kohë që në të gjitha forumet, në të gjitha takimet, vazhdoj ta shtrojë çështjen e sjelljes skandaloze të diplomacisë serbe përkitazi me propagandën dhe lajmet e rreme të regjimit jo demokratik në Serbi. Ka kohë që në vazhdimësi e përsërisë që kësaj sjellje skandaloze dhe anti-evropiane të Serbisë do t’i vie fundi, dhe se për gjithçka ka një pikë ku durimi prek fundin. Pikërisht sot, me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e masave të importit ndaj Serbisë, ka mbaruar durimi. Pikërisht sot, ka filluar aplikimi i një qasje proporcionale, dhe nëse është nevoja edhe përshkallëzuese, përmes së cilës Serbia do ta kuptojë që për cilëndo sjellje të saj negative, dëmtuese, dhe cenuese ndaj Kosovës, do të ketë një çmim të cilin do ta paguaj fillimisht ajo. Kjo praktikë vlen për tregti, për ekonomi, për drejtësi, për siguri, do të vlejë edhe për politikë të jashtme dhe diplomaci. Të durosh është forcë, por të veprosh me durim është mençuri. Nga sot fillojnë masa specifike të veprimit me durim.