Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Behxhet Pacolli, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se Kosova është vendi më i dëshmuar në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit.

Pacolli ka thënë se Kosova i ka plotësuar kriteret për të qenë pjesë e cilësdo organizatë ndërkombëtare të sigurisë, duke e përfshirë INTERPOL-in.

“Kosova është ndoshta vendi më i dëshmuar në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit. Jemi jashtëzakonisht krenarë që në një periudhë të shkurtër të shtetndërtimit kemi arritur të ndërtojmë kapacitete të tilla që përbëjnë aleatët kryesor të perëndimit në regjion kundër radikalizmit dhe terrorizmit ndërkombëtar” ka thënë Pacolli.

Ai ka shtuar se Kosova si asnjë shtet tjetër i ka të plotësuara të gjitha kriteret për anëtarësim në cilëndo organizatë ndërkombëtare të sigurisë.

“Kosova më shumë se kushdo tjetër i ka të plotësuara kriteret për të qenë pjesë e cilësdo organizatë ndërkombëtare të sigurisë, duke e përfshirë INTERPOL-in”, ka thënë Pacolli për telegrafin.