Pacolli injoron spekulimet: Kosova së shpejti në Interpol

Brenda këtij muaji ka dhënë dorëheqje presidenti kinez i Interpolit, Meng Hongwei pasi ndodhet nën hetim për korrupsion.

Kim Jong-yang nga Koreja e Jugut ka marrë detyrën në mënyrë të përkohshme, derisa të zgjedhet një president i ri në Asamblenë e Përgjithshme e cila do të mbahet në Dubai në fund të muajit nëntor.

Kosova e cila ka aplikuar për anëtarësim në Interpol këtë vit është shumë optimiste se do të pranohet.

Pasi që Koreja e Jugut e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe është një aleat i Shteteve të Bashkuara është ngjallë frikë te serbët se vendi ynë do të pranohet në këtë organizatë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli duke mos dashur të përmend emra se kush nga Serbia po lobon kundër ka thënë për lajmi.net se është duke u bërë një punë e jashtëzakonshme në drejtim të lobimit.

“Unë nuk dua të spekuloj rreth emrave të individëve, megjithatë ajo që mund të ju konfirmoj është se po bëhet një punë e jashtëzakonshme të drejtim të lobimit”, ka deklaruar Pacolli.

Ai ka shtuar se i ka kryer aktivitetet e tij personale në Interpol dhe është optimist se Kosova do të anëtarësohet.

“Është duke u bërë një punë e madhe e koordinuar me partnerët ndërkombëtar”, ka përfunduar ministri i Jashtëm.

Ndërkohë pala serbe është duke vazhduar lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq ditë më parë deklaroi se iu ka dorëzuar fakte me shkrim krerëve të Interpolit se pse sipas tij Kosova nuk duhet të fitoj anëtarësimin.

Sipas tij, një shtet mund të bëhet pjesë e Interpol-it vetëm nëse është anëtar i OKB-së.

Theksojmë se në mars të këtij viti me shumicë votash, në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të Interpolit në Lion të Francës u vendos që Kosova të jetë sërish në agjendë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë

Aplikacioni për anëtarësim i Kosovës është përfshirë në draftin e axhendës së përkohshme të sesionit të 87-të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, i cili sipas njoftimeve të mëparshme mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe në nëntor.