Pacolli i shkruan Mogherinit, paralajmëron masa ndaj Serbisë pas arrestimit të zyrtarit kosovar

Autoritetet e Serbisë kanë arrestuar dje Marjan Gjokajn, i cili është zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës. Lajmin për arrestimin e tij dje e dha ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli dhe i njëjti ka shkruar edhe sot se e ka njoftuar disa herë Federica Mogherinin lidhur me këtë ngjarje dhe ka kërkuar nga BE’ja që të ndërhyjë në mënyrë që të ndalojnë këto veprime të Beogradit.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka njoftuar se i ka shkruar sot disa herë përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherinit, lidhur me arrestimin e zyrtarit kosovar në Serbi, Marjan Gjokaj.

“Unë i kam shkruar sot, për të disatën herë, Federica Mogherinit Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme për të shprehur shqetësimin e thellë të Republikës së Kosovës për arrestimin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në kundërshtim me marrëveshjen e lëvizjes së lirë dhe të drejtat e tyre themelore”, ka shkruar Pacolli.

Ai i ka bërë thirrje BE-së që të ndërhyjë dhe të ndalojë këto veprime nga Beogradi.

“Kosova është e gatshme të marrë masa për të reaguar dhe për të mbrojtur qytetarët e saj të të gjitha përkatësive etnike dhe fetare.”, ka paralajmëruar Pacolli.

Dje, ishte njoftuar se kosovari Gjokaj ishte arrestuar derisa po kthehej në Kosovë.