Pacolli i reagon Sveçlës për arrestimin: Nuk jam kriminel

Në orët e pasdites ka aterruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” aeroplani privat i kryetarit të AKR-së Behgjet Pacolli.

Ai në një konferencë për media tha se nuk ka dashur të rezistojë, por arritja e tij në Kosovë ishte më ndryshe nga të tjerët që kanë ardhur, teksa ka shtuar se nuk ka kërkuar të ketë dallim në rastin e tij.

“Nuk kam kërkuar asnjëherë të bëhet dallim për mua. Derisa e dua vendin tim, i nënshtrohem të gjitha masave të ndërmarra. Unë nuk rezistoj. I respektoj normat që janë marrë për të gjithë, ashtu edhe për mua. Nuk do ta toleroja asnjëherë që ndaj meje të ketë përparësi apo mangësi. Nëse ka rregull që është aplikuar për të gjithë qytetarët, unë do ta zbatoja”, ka thënë ai.

Ai është ankuar në deklaratat e ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla lidhur me arrestimin e tij nëse hyn në mënyrë ilegale në Kosovë.

“Nuk më ka pëlqyer deklaratat e ushtruesit të detyrës së Punëve të Brendshme, e cila ka qenë e transmetuar në të gjitha televizionet ballkanike dhe në Serbi se nëse Pacolli do të gjendet në territorin e Kosovës, do të arrestohet. Unë nuk jam kriminel, e dua këtë vend dhe gjithë punën e bëj me vullnet”, ka thënë Pacolli.

Ndryshe, këshilltari i Pacollit, Naim Murseli, në një postim në Facebook, ka shkruar se me të arritur në Prishtinë, kryetari i AKR-së do t’i nënshtrohet kontrollit rutinor mjekësor për të vazhduar pastaj në rezidencën e tij në Hajvali.