Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas deklaratave të kryeparlamentares, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të kalojë nëpërmjet Kuvendit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Pacolli ka thënë se deklaratat e Osmanit po duken si kërcënim.

Sipas Pacollit, e para e Kuvendit, nuk e do këtë marrëveshje dhe po betohet që nuk do të kalojë në Kuvend.

Ai i bën thirrje asaj që të mendojë pozitivisht dhe të lërë anash inatet politike.

Sipas Osmanit, para se të arrihet marrëveshja përfundimtare, është e domosdoshme që Kuvendit t’i dorëzohet platforma e bisedimeve për të cilën ka thënë se duhet të arrihet konsensus i gjerë.

Ky është postimi i tij i plotë:

Këtë herë po i drejtohem Kryetares së Kuvendit, Znj. Vjosa Osmani, Kryetare, sa herë që jeni deklaruar (shpesh ka ndodhur) në një veprim të Kryeministrit Hoti (i cili në të vërtetë konsiderohej si një hap drejt një marrëveshje me Serbinë), ju keni thënë; “Marrëveshja duhet të kalojë në kuvend”.

Kjo duket sikur se ju nuk e doni këtë marrëveshje. Deklaratat e juaja duken si kërcënim se ajo marrëveshje nuk do të kaloj në kuvend. Po tingëllon kështu, Kryetare. Po tingëllon kështu… por edhe si duket, Ju po betoheni që kjo marrëveshje nuk do të kaloj në Kuvend. Kryetare, mendoni pozitivisht!! Leni anash inatet politike!

Kosova nuk mundet më kështu! Kosovës i nevojitet marrëveshja!! Pozicioni juaj (në përgjithësi) është i ndryshëm nga ai i popullatës së Kosovës e cila sot vuan nga varfëria, papunësia, privimi i lëvizjes së lirë, getoizimi i vendit, etj që varen ekskluzivisht nga paqësimi në rajon!!