Pacolli i kërkon Qeverisë të shqyrtojë taksën për mallrat serbe

Sekretari Organizativ i AKR-së, Rrahim Pacolli, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të marrin në shqyrtim dhe të trajtojnë, siç shkruan ai, “me urtësi këshillat e miqve tanë dhe aleatëve strategjikë siç janë SHBA-të dhe Gjermania lidhur me taksën e vendosur ditë më parë nga qeveria”.

“E tërë kjo duhet të bëhet duke pasur parasysh rrethanat e krijuara dhe proceset integruese të Republikës së Kosovës. Ne si vend kemi aspirata të kahmotshme të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave si dhe jemi pro vlerave evropiane. T’i japim hapësirë dialogut dhe paqes në rajon”, ka shkruar Pacolli.

Portali Koha.net ka provuar që të marrë një qëndrim prej ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, njëherësh kryetar i AKR-së, për të komentuar këtë qëndrim, por të enjten mbrëma këtë e ka pasur të pamundur.

Nuk e ka thënë prerë që është për heqjen e taksës por të merret në shqyrtim këshilla e miqve e cila është që Kosova ta heqë këtë taksë.

Koha.net ka biseduar me Rrahim Pacollin, i cili ka thënë se ky është qëndrim vetëm i tij, e jo i partisë.

“Kam kërkuar që të shqyrtohet. Nuk jam konsultuar me Behgjet Pacollin, është qëndrim i imi personal, unë mendoj ashtu”, ka thënë Pacolli. “Mendoj se për qytetarët është më mirë që të merret parasysh kërkesa e SHBA-së dhe Gjermanisë, që mallrat e destinuara për Republikën e Kosovës, të bëhet një zgjidhje”, ka shtuar më tej.

Kujtojmë se përmes një kumtese për media zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, ka thënë se sekretari i shtetit, Mike Pompeo, duke i ka konfirmuar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi mbështetjen e palëkundur të Amerikës për Kosovën sovrane, të pavarur e të integruar në bashkësinë ndërkombëtare, ka kërkuar nga autoritetet kosovare shfuqizimin e taksës prej 100% për Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.