Pacolli: Fëmijët bëhen me mbipeshë sepse hanë ushqime dhe pinë pije jo të shëndetshme (VIDEO)

Deputetët e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim kanë diskutuar sot për pijet energjike e ato me sheqer të shtuar.

Lidhur me këtë temë ka folur kryetarja e këtij komisioni Fitore Pacolli.

Pacolli tha në një intervistë në Edicionin Special në Klan Kosova se është parë si e domosdoshme rregullimi me ligj i këtyre pijeve.

Kjo për shkak se sipas saj për të ruajtur shëndetin e popullsisë në Kosovë.

“Pijet energjike shiten në afërsi të shkollave. Ne kemi shumë raste kur fëmijët në pushimin e gjatë blejnë pije energjike dhe i konsumojnë ato shumë. Ne nuk kemi ndonjë studim që tregon se sa e konsumojnë fëmijët. Por, unë një studim të bërë në vitin 2016 dhe 2017 kur në Prishtinë qeveriste Lëvizja Vetëvendosja kemi bërë vizitat shëndetësore nëpër shkolla”.

“Sidomos në klasën e parë, të pestë dhe të nëntë. Dhe tek klasa e parë shohim se fëmijët që kanë obezitet janë 10 deri në 11 për qind. Fëmijët që kanë obezitet të theksuar shkon deri në 13 për qind. Nëse e krahasojmë me klasën e nëntë është pakëz më e ultë 9 deri në 10 për qind”.

“Kjo do të thotë që fëmijët në moshë të re kanë filluar t’i ekspozohen ndaj këtyre pijeve dhe kequshqyerjes. Fëmijet në mbipeshë nuk është se hanë shumë. Fëmijët bëhen me mbipeshë sepse hanë ushqime dhe pijnë pije jo të shëndetshme”.

“Prandaj ne për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme ku do të kemi më pak nevojë që të shpenzojmë për t’i kuruar sëmundjet të cilat shfaqen nga kequshqyerja ne mendojmë se duhet ta parandalojmë fillimisht”.