Pacolli e përkrah taksën e vendosur nga Shqipëria për “Rrugën e Kombit”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, në një intervistë për Ora News është shprehur pro taksës së vendosur nga Qeveria e Shqipërisë për “Rrugën e Kombit”.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës ka thënë se vendosja e taksës nuk është tragjike. Madje, ai ka thënë se këtë gjë shumë shpejt do ta aplikojë edhe Kosova, transmeton Ballkani.info.

“Personalisht nuk e shikoj shumë tragjike vënien e taksës, për arsye se flitet për një objekt jashtëzakonisht të shtrenjtë dhe mirëmbajtja e asaj rruge kushton. Njerëzit që kalojnë një herë apo dy, nuk mund ta kuptojnë se mirëmbajtja e një autostrade kushton shumë para. Nuk e di nga ana shqiptare nëse mund t’i mbulojë shpenzimet që do t’i këtë në mirëmbajtjen e kësaj autostrade me atë taksë. Edhe pse taksa në anën tjetër duket e lartë. Unë do të doja që të ketë sa më shumë frekuencë dhe sa më shumë të rritet frekuenca ulet taksa, nga 5 do të ulet në 3 euro. Ajo do të ishte mirë për secilin, por askush nuk ka të drejtë të hidhërohet që ka një taksë sot. Sot të ecësh në rrugët e Kosovës nuk kushton asgjë, por jam i bindur se edhe Kosova do të aplikojë një taksë. Taksat aplikohen në të gjithë botën”, ka thënë Pacolli për Ora News. /Ballkani.info/