Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli thotë se ideja e Vjosa Osmanit mandatare për krijimin e qeverisë së re të Kosovës, ka qenë një ide e shkëlqyer.

“Ne si AKR, s’jemi faktor, por kjo ka qenë dëshira jonë. Rugoviste, shprehëse e vullnetit për ndryshim të brezit të ri, ajo do përfaqësonte dhe do ekzekutonte atë nevojë për bashkim që politika dhe shoqëria kosovare ka nevojë sot. Bashkimi na duhet qoftë për te adresuar problemet politike të brendshme apo ndërkombëtare, qoftë, apo dhe ato ekonomike, shëndetësore, etj”, ka shkruar Pacolli.

Ai tutje ka shkruar se i kanë pëlqyer idetë e saj (Vjosa Osmanit) për zgjidhjen e krizës, shkruan Ballkani.info.

“Dhe marrja në konsideratë e këtij skenari, prej një eksperte të së drejtës si Vjosa është konfirmim tjetër se zgjidhja e vetme është ajo në favor të vijimësisë së legjislaturës, pa lodhur popullin me zgjedhje të reja, ashtu si u shpreh Vjosa mbrëmë”, ka shkruar Pacolli në fund.

Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit, tha mbrëmë se do ta pranonte mandantin nga LDK-ja për ta drejtuar qeverinë e re pas rrëzimit të Kurtit. Mirëpo, ajo tha se për bashkëqeverisje sërish do t’i afrohej VV-së dhe Kurtit, pra duke tentuar të bëjë koalicion të ri me ta, por vet si kryeministre. /Ballkani.info/