Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se 10 mijë faqe material me prova të krimeve të luftës së Serbisë në Kosovë do t’i dorëzohen Prokurorisë.
Ai në një konferencë për media ka thënë se këto materiale nuk janë trajtuar asnjëherë më parë dhe se tashmë prokurorët e Kosovës do të kenë mundësi t’i trajtojnë.
Pacolli deklaroi se kriminelët e luftës duhet të përfshihen në listat e Interpolit dhe se duhet që ta kushtëzojnë Bashkimin Evropian që ta bëjë një qëndrim politik që të kërkojë nga Serbia që t’i dorëzojë kriminelët e luftës në Kosovë.
Ai tha se asnjëherë nuk duhet të harrohet gjenocidi, ndërsa detyrë historike e Kosovës është të dokumentojë vrasjet, dhunimet, torturat, dëbimet me forcë dhe krimet tjera të luftës të kryera nga forcat serbe gjatë luftës.
Pacolli tha se është dëshpëruese se pas 20 vitesh të masakrës në Reçak dhe pas një numri të madh të procedimeve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Beogradi vazhdon të mohojë krimet e luftës në Kosovë.
Kryediplomati kosovar u shpreh se gjatë gjithë kohës gjatë takimeve është ballafaquar me pyetje rreth Gjykatës Speciale, për çka ai tha se është dashur të ndërmerret diçka që të dihet se Kosova ka qenë viktimë.
Pacolli tha se personalisht ka kundërshtuar raportin e Dik Martit, për çka tha se ka kërkuar edhe të ngritet akuzë për shpifje ndaj Dik Martit.







