Pacolli anulon fluturimin për në Prishtinë

Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka anuluar pasditen e së martës fluturimin për në Prishtinë.

Në dokumentet e siguruara nga KOHA, shihet se piloti i Pacollit në një letër drejtuar autoriteteve të Kosovës ka bërë të ditur se është anuluar fluturimi i paraparë për sot.

“Të dashur operatorë. Fluturimi jonë për në Prishtinë është anuluar. Faleminderit”, ka shkruar ai në një letër rreth orës 16:00.

Ndërkohë, Pacolli ka vazhduar me ankesa përmes rrjeteve sociale, për trajtimin, sipas tij, të padrejtë.

“Dua të shoh se sa parimorë do të jenë Viola Von Cramon, Nataliya Apostolova e ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë dhe të Amerikës në Kosovë në pengesat që Qeveria po bën ndaj atyre që nuk mendojnë njëjtë si Kurti në Parlament. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të rrijë i heshtur ndaj veprimeve anti-kushtetuese të Kurtit”, ka shkruar ai në Twitter pas orës 17:00.