Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, njëherësh ministër i MPJ-së, fajin për dështimin e anëtarësimit në INTERPOL ia ka lënë Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila qeveriset prej partisë së tij, si dhe Policisë së Kosovës.
Pacolli ka thënë se këtë vit do ta marrë në duart e veta udhëheqjen e taskforcës për INTERPOL, pasi është i pakënaqur me punën që është bërë vitin e kaluar.
Ai ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme (që qeveriset prej AKR-së) dhe Policia e Kosovës nuk kanë kryer punën e tyre për sigurimin e votave të shteteve që veçse e kanë njohur Kosovën.
Por, ndonëse është kryediplomat i Kosovës, Pacolli si duket nuk ka haber fare për punën që do duhej ta bënin diplomatët e udhëhequr prej tij dhe dështimet e veta po ia atribuon padrejtësisht të tjerëve.
Prej shteteve njohëse të Kosovës, për të cilat do duhej të përkujdeseshin diplomatët e Kosovës, 10 shtete kanë votuar kundër, 8 shtete kanë abstenuar, kurse rreth 20 shtete të tjera njohëse nuk kanë marrë fare pjesë në konferencë.
Kryediplomati Pacolli si duket nuk është fare i vetëdijshëm që ambasadorët dhe diplomatët e Kosovës të vendosur në shtetet njohëse do duhej që minimalisht të kujdeseshin për votat e shteteve në vendet ku ata operojnë zyrtarisht, sepse kjo është puna e tyre dhe jo e taskforcës së krijuar.
Në anën tjetër, për shkak të punës së taskforcës së krijuar nga Policia e Kosovës, 20 shtete jonjohëse kanë qenë në favor të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, qoftë përmes votimit direkt, qoftë përmes abstenimit gjatë votimit. /Ballkani.info/







