SHBA

Pacienti që iu transplantua veshka e derrit lirohet nga spitali

Pacientit të parë që iu transplantua veshka e modifikuar gjenetikisht nga një derr është liruar nga spitali. 62-vjeçari u dërgua në shtëpi të mërkurën, dy javë pas operacionit novator në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts (MGH) në Shtetet e Bashkuara (SHBA).

Transplantet e organeve nga derrat kanë dështuar në të kaluarën.

Por suksesi i këtij pacienti deri tash është vlerësuar nga shkencëtarët si moment historik në fushën e transplantimit.

Lajmi për lirimin nga spitali u dha nga MGH-ja, që është spitali më i madh mësimor i Shkollës Mjekësore të Harvardit në qytetin amerikan të Bostonit.

Pacientit iu transplantua veshka e modifikuar gjenetikisht nga një derr në një operacion katër-orësh më 16 mars.

Sipas mjekëve, veshka e pacientit po funksionon mirë dhe nuk është më në dializë.

Sipas të dhënave nga Rrjeti jofitimprurës i Shteteve të Bashkuara për Ndarjen e Organeve, më shumë se 100 mijë amerikanë kanë nevojë për transplantim të organeve që shpëtojnë jetë. Ndërkohë, numri i donatorëve – të vdekur dhe të gjallë – në vitin 2023 ishte pak më pak se 23.500.

Është vlerësuar se 17 njerëz vdesin çdo ditë në SHBA ndërsa presin për transplantim të një organi, dhe veshkat janë organi më i zakonshëm i nevojshëm për transplant.

Ndërsa kjo është veshka e parë e derrit që transplantohet te njeriu, nuk është organi i parë i derrit që përdoret në një procedurë transplantimi.

Dy pacientë të tjerë kanë marrë transplantim të zemrës së derrit, por ato procedura ishin të pasuksesshme pasi kishin vdekur disa javë më vonë.

BONUS VIDEO| Kujdes, nga sot dënimet në komunikacion janë drastike