Paçarizi: Propozimi i VV-së për rritjen e ministrive është ofendim për LDK-në

Opinionisti Rrahman Paçarizi ka thënë se LDK-ja e konsideron ofendim propozimin e Vetëvendosjes që në këmbim të postit të kryeparlamentarit të rrisë numrin e ministrive që ia ofron partisë së Isa Mustafës.

Sipas tij, LDK-ja s’do të pranojë në këmbim të postit të kryeparlamentarit, as idenë që të qeverisë vetë me tetë ministri, e dy t’i takojnë VV-së.

“Kjo është ofendim për LDK-në sepse e vë në pozicionin e partisë që dëshiron të marrë sa më shumë ministri, të zhvatë, të grabisë. LDK-ja nuk pranon as propozimin 8 me 2 për ministri”, ka thënë ai.

Sipas tij, zvarritja e procesit të arritjes së marrëveshjes pas vizitës që bëri në Kosovë ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, është e pakuptueshme.

“Grenell na tha ju nuk mund ta zvarritni këtë proces dhe se bisedimet me Serbinë do të vazhdojnë pavarësisht marrëveshjes”, ka shtuar ai.