Paçarizi: I panevojshëm veprimi i Osmanit për heqjen e fotos së Thaçit

Profesori universitar dhe analisti, Rrahman Paçarizi ishte i ftuar në “Express Intervistën” për të folur rreth simbolikës dhe diskursit gjuhësor në paraqitjen e parë të kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentares, Vjosa Osmani.

Ai gjithashtu analizoi edhe veprimet e opozitës në seancën e 3 shkurtit, për të cilën thotë se ishte për keqardhje.

Paçarizi thotë se Kurti në ditën e tij të parë pati një diskurs populist, derisa vlerësoi se gjithashtu u pa një gjuhë e tij institucionaliste.

“Përgjithësisht Kurti është i njohur si njëri ndër njerëzit më të shkathët në përdorimin e gjuhës dhe këtë e bënë me një shkathtësi impresive. Në mbledhjen e parë të Qeverisë ai e përdori një diskurs nxitës, mobilizues, duke përdorur fjalë për të treguar se sa i etshëm është për t’iu treguar se është pranë qytetarëve”, ka thënë ai.

Paçarizi thotë se gjuha e Kurtit është një tentim për të krijuar raporte të mira me opozitën, gjë për të cilën thotë se do ta ketë të vështirë të ruajë.

“Por, vetëm pak orë më vonë e pamë Kurtin si një person me diskurs krejtësisht tjetër, i cili është institucionalist. Person që dëshiron të krijojë raporte të mira me opozitën. E vështirë se do të mund të jetë i kujdesshëm pasi e presin punë të mëdha. Mesazhi i tij ishte që partitë politike të bëhen bashkë. Ajo që tha z. Kurti se nuk do të rrimë në këto karrige, por do të rrimë në këmbë. Psh ministri i Bujqësisë nuk ka nevojë të rrijë me bujqit, por duhet të qëndrojë në zyre dhe të kryejë punët. Ministri i ka raportet, e sheh se si është gjendja dhe e di se si duhet të veprojë”, ka thënë Paçarizi.

Tutje Paçarizi ka shtuar se Kurti, së bashku me Vetëvendosjen, janë transformuar dhe kanë filluar të pranojnë realitetin e Kosovës.

“Kurti ka nisur të pranojë realitetin, dhe megjithatë është një storie suksesi shtetësia e Kosovës. Por, Kurti e ka nderuar flamurin e Kosovës edhe gjatë fushatës, dhe i ka bërë transformimet e duhura. Partia e Kurtit tashmë është një parti normale që lufton për poste, e Kurti ka bashkëpunuar edhe me Mustafën kurse do të bashkëpunojë edhe me Thaçin”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu ka folur edhe për heqjen e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi nga ana e kryeparlamentares, Vjosa Osmani.

“Këto veprime bëhen për punë simbolikash dhe dërgimit të mesazhit dhe këto duhet të diskutohen. Osmani është kryedeputetja e Kosovës, pra nëse ne mendojmë se deputetët nuk duhet të shkelin ligjin, ajo e ka për detyrë të mos i lejojë të shkelin ligjin. Simbolikisht ka qenë një veprim i panevojshëm. Kryetarja e Kuvendit duhet të detyrohet të respektojë ligjin për simbolet shtetërore”, u shpreh ai.

Sipas Paçarizit veprimet e opozitës në seancën e fundit ishin jokonstruktive.

“Ishte për keqardhje veprimi i opozitës, jo që nuk e prisja. Çfarë i është dashtë PDK-së që të angazhojë të gjithë deputetët e saj, të cilët jo të gjithë kanë paraqitje të mirë publike dhe jo të gjithë përçojnë mesazhin e duhur. VV-ja është njëfarë magneti për t’i ngrehë kritikat, dhe ishte ajo që kishte kritikuar vazhdimisht e partitë opozitare mezi kanë pritur një gjë të tillë. Edhe PDK-ja mendon se LDK-ja është partneri më stabil për ta, e edhe e kundërta”, tha ai.

Ai shpreson se opozita do të jetë konstruktive gjatë kësaj legjislature, pasi mban përgjegjësi për këtë.

“Deri në ditën kur u mbajt mbledhja e fundit nisa të besoja se PDK-ja do të jetë një opozitë shumë konstruktive, dhe nuk dmth se s’do të jetë e tillë, pasi një parti që aq shumë ishte në pushtet ka nevojë të qëndrojë në opozitë dhe për një meditim të thellë. Pres që PDK-ja dhe opozita të sillen si opozitë dhe detyra e saj është mbikëqyrja, mos i lënë rehat. Por, përgjegjësitë i kanë pothuajse të barabarta dhe pres një manifestim të vetëdijes shumë më të lartë për çështjet nëpër të cilën po hynë Kosovë. AAK-ja nuk është parti shumë e madhe, por që arrin të mobilizohet shumë shpejt dhe ka disiplinë shumë të madhe”, u shpreh Paçarizi.