“Pabarazi shokuese” në shpërndarjen e vaksinave në botë

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kritikuar atë që e përshkruan si “pabarazi shokuese” në shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit, ndërmjet shteteve të pasura dhe atyre të varfra.

Shefi i kësaj organizate ka thënë se synimi që të shihet çdo program i vaksinimit në çdo shtet deri të shtunën, ka dështuar.

OBSH-ja ka kohë që ka bërë thirrje për shpërndarje më të drejtë të vaksinave të COVID-19.

Ajo po udhëheq skemën COVAX, që është e dizajnuar për të ndihmuar shtetet e varfra.

Deri tash, mbi 38 milionë doza janë shpërndarë në rreth 100 shtete nga kjo skemë. Këtu përfshihet Kosova që ka marrë 24 mijë doza të vaksinës së “AstraZenecas”.

COVAX-i shpreson të shpërndajë më shumë se dy miliardë doza te njerëzit në 190 shtete në më pak se një vit. Në veçanti, skema dëshiron të sigurojë që 92 shtetet e varfra do të kenë qasje në vaksinë në të njëjtën kohë me shtetet e pasura.

“Ka ende pabarazi shokuese në shpërndarjen e vaksinave”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Në vendet me mesatare më të lartë të të hyrave, gati një në katër persona tashmë ka marrë vaksinën për COVID-19. Në shtetet e varfra, është një në më shumë se 500 qytetarë”.

Skema e COVAX-it ishte paraparë të shpërndante të paktën 100 milionë doza në gjithë botën deri në mars, por ka arritur të shpërndajë vetëm 38 milionë.

Vaksinat e prodhuara në Amerikë, Evropë, Britani, Rusi e Kinë po përdoren në gjithë botën dhe janë blerë nga shumë shtete. Megjithatë, dozat s’janë ndarë në mënyrë të barabartë mes vendeve. Shtetet e pasura kanë siguruar 4.6 miliardë doza, ndërsa të varfrat mbajnë 670 milionë, sipas të dhënave të Qendrës Inovative për Shëndet “Duke Global”.