Aksidente

Paaftësia në ngasje e mospërshtatja e shpejtësisë, ndër shkaqet e aksidenteve në rrugë

Njohësi i çështjeve të komunikacionit, Bekim Ahmeti, ka deklaruar se paaftësia në ngasje, mospërshtatja e shpejtësisë dhe mosrespektimi i të drejtësisë së përparësisë janë ndër shkaqet që i shkaktojnë aksidentet në komunikacion.

Ai ka deklaruar të martën në emisionin “SOT” të KTV-së se aksidentet ndodhin edhe për shkak të gabimeve gjatë tejkalimit, e sipas tij, edhe prezenca e këmbësorit në komunikacion bën që të ketë aksidente.

“Paaftësia për ngasje, kur kandidati kryen patentën e s’është i njohur me njohuritë që i merr nga autoshkolla, e ka mundësi edhe ngasësit e rinj. Mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes është arsye, kur ngasësi s’e respekton kufizimin e shpejtësisë. Përplasja me automjetin para e prapa që ndodh kur s’mbahet distanca. Mosrespektimi i të drejtës së përparësisë, futet në rregullën e dorës së djathtë, kyçja në komunikacion, semafori e shenja, Gabimet gjatë tejkalimit janë shkaqe, shkëputja nga rruga, gabimet gjatë kthimit, hyrje-daljet në udhëkryq… E edhe këmbësori si shkaktar i aksidentit”, ka deklaruar Ahmeti.

Sipas njohësit të çështjeve rrugore, aksidentet më të shumta gjatë ditës ndodhin në periudhën kohore 12:00 – 20:00, pasi siç ka thënë Ahmeti, qarkullimi më i madh është në këtë periudhë.

“Sa më i madh është fluksi, gjasat për shtim të aksidenteve janë më të mëdha…Sa më pak të kemi transport publik, aq më shumë marrim automjete të udhëtarëve në komunikacion. Një autobus i zë 80 deri në 100 vende, e autobusi është i gjatë 12 metra”, ka shtuar ai.

Ahmeti ka bërë thirrje që prindërit t’i vendosin fëmijët në ulëset prapa dhe t’i sigurojnë me karrigen e veçantë.