Pa përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, s’ka progres në rrugën evropiane

Ministrat e jashtëm të shtatë shteteve anëtare më të zhvilluara (G7) iu kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve me anë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive për t’i normalizuar marrëdhëniet e tyre me anë të një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme në mënyrë që të mund të bëjnë progres në rrugën evropiane”, thuhet në njoftim të këtij grupi.

Sipas tyre, pa një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në mes këtyre dy vendeve nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

G7 kanë konfirmuar angazhimin e tyre ndaj sigurisë, stabilitetit, prosperitetit dhe perspektivës evropiane për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata gjithashtu kanë theksuar rëndësinë e përmirësimit të reformave të nevojshme brenda këtyre vendeve, veçanërisht ato që lidhen me sundimin e ligjit.

Theksojmë se anëtarët e G7 janë Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.